Gjinushi: Prioritet i opozitës, punësimi dhe arsimimi
Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, vijoi turin e tij elektoral në qytetin e Korçës. Gjatë fjalës së tij, Gjinushi u shpreh se "Qarku i Korçës, në mënyrë absolute, si qark intelektual, si qark i emancipuar nuk mund të pranojë që vendi të qeveriset për katër vjet nga një qeverisje e djathtë, nga një qeverisje e korruptuar, një qeverisje e skandaleve, prandaj dhe do të zgjedhë më 28 qershor alternativën më të mirë që përfaqësohet nga PSD-ja, nga Bashkimi për Ndryshim, ku bën pjesë PSD dhe aleatë të tjerë". Sipas tij, premtimi kryesor i së majtës dhe angazhimi i saj është integrimi në BE me dinjitet, që do të thotë integrim për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe jo për qeverinë dhe qeveritarët. Një ndër prioritetet e PSD, u shpreh Gjinushi, është punësimi. Hapja e vendeve të reja të punës e shoqëruar kjo me shumëfishimin e rrjetit të formimit profesional të të rinjve e të të papunëve është në fokus të programit të PSD, prandaj cilësoi Gjinushi, punësimi është problem i zgjidhur, por duhet një qeveri që ndërton dhe jo një qeveri që shkatërron. "PSD i jep një rëndësi të veçantë arsimit. Koncepti ynë për reformimin e arsimit, larg butaforive, improvizimeve e masave me efekt elektoral, konsiston në ngritjen e një sistemi arsimor të plotë e të harmonizuar nga ai parashkollor, tek arsimimi gjatë tërë jetës", tha Gjinushi.