E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miraton listën e PD, kthen të PS

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi t‘u kthejë sërish listat e kandidatëve në tavolinë 31 subjekteve politike. Nga 36 parti që paraqitën listat shumemërore, vetëm 5 e kaluan provën e shqyrtimit nga KQZ-ja. Pas tri ditësh, KQZ mori në shqyrtim listën e dy partive të mëdha. Lista e Partisë Demokratike u miratua e shoqëruar me shumë debate mes përfaqësuesve juridikë të dy partive, Njazi Kosovrasti dhe Gent Gjonçaj, por edhe me ndërhyrjen e herëpashershme të anëtarëve të KQZ. Sakaq lista e PS u kthye sërish për një korrigjim në Qarkun e Lezhës. Pavarësisht një ndryshimi të bërë më parë, kjo listë nuk e përmbushte dot kriterin për të pasur 30 për qind kandidate femra. Gjatë shqyrtimit të këtyre listave, palët u munduan të vinin në pah mungesën e dokumentacionit apo çdo detaj tjetër që të mund të kthehej lista. Qysh në fillim të shqyrtimit, lista e Partisë Demokratike ngjalli debate. Kjo sepse për Qarkun Lezhë, Elbasan e Kukës, PD-ja ka sjellë më shumë kandidatë nga sa është numri i mandateve që ka çdo qark. Në Lezhë, veç shtatë kandidatëve shtohet edhe Raimond Hoxha. Ndërsa në Elbasan, përveç zëvendësimit të dy kandidatëve shtohen edhe dy të tjerë, duke e çuar në 16 numrin e kandidatëve nga 14 mandate që do japë qarku i Elbasanit. Ilda Peza dhe Alda Biçoku janë zëvendësuar me Agim Bojën dhe Taulant Zenelin, duke shtuar edhe Sokrat Tërbufin e Zheni Gjergjin. Kjo praktikë është ndjekur edhe në Kukës, ku është shtuar një kandidate femër, Myzejen Aliaj. Këto propozime të demokratëve shkaktuan reagimin e përfaqësuesve juridikë të PS-së. Gent Gjonçaj tha se po krijohen metoda artificiale me kriterin e 30% të kandidatëve femra. Megjithëse Gjonçaj akuzoi PD se përmes kësaj metode po risjell në vëmendje megadushkun. "Të gjithë e mbajmë mend se si megadushku sillte mandate artificiale në Kuvend. Po si do ta lejojmë këtë? Lista organizohet në bazë të mandateve që ka çdo qark. Nëse shkojmë përtej këtij numri, ne vëmë në pikëpyetje Kodin Zgjedhor. S‘mund të shtojmë numrin e kandidatëve përtej numrit të mandateve, ky është megadushk", u shpreh ai. Në reagimin e tij, përfaqësuesi juridik i PD-së, Njazi Kosovrasti, tha se idetë dhe komentet e kolegut të tij janë sofizma. "Ne bazohemi te neni 2 i Kodit Zgjedhor, i cili përcakton se kush është kufiri i poshtëm ose i sipërm i listës shumemërore të kandidatëve. Pra subjektet mund të shtojnë emra por jo mandatet. Po marr për shembull rastin e atij që e la mandatin në mes dhe ia dha atij tjetrit. Çfarëdo të ndodhë nëse ndonjë e lë mandatin, mandati mbetet sërish tek ne", u shpreh Kosovrasti. Kreu i KQZ, Ristani, u shpreh se ligji nuk e ndalon që të vijnë më shumë emra se sa janë mandatet. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe anëtari tjetër i KQZ-së, Klement Zguri. Nga verifikimet e bëra del se PD e ka ndryshuar mjaft listën që nga momenti kur i prezantoi kreu i saj Berisha. Nisur nga emrat e publikuar prej tij dhe emrave që janë çuar më vonë në KQZ, si dhe listës së emrave që u miratuan dje, të paktën në listën e Elbasanit dhe Vlorës emrat nuk korrespondojnë. Sakaq shqyrtimi i listës së PS-së kaloi më me qetësi. Përfaqësuesi juridik i PS vërejti se në dosjen e dokumentacionit të sjellë nga selia rozë ishte një shkresë e marrë nga Kuvendi, ku renditeshin emrat e deputetëve pa u përcaktuar se ata janë deputetë aktualë të Partisë Socialiste. Kjo, sipas Kosovrastit, është jo në përputhje me ligjin. Lista e PS u kthye në unanimitet nga KQZ. Në fakt bëhet fjalë vetëm për një korrigjim në Qarkun e Lezhës, pasi numri i femrave të vendosur në listë nuk e përmbushin kriterin me 30% femra.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›