E Shtunë, 31 Tetor 2026

PBDNJ, zgjerohet "hakmarrja" e Berishës

Një shtrëngim i ri radhësh mund të cilësohet ai që ka kërkuar të realizojë këshilli i përgjithshëm i "Omonia"-s, përmes takimit të mbyllur për median, i mbajtur dje në Sarandë. Burimet nga ky takim thanë se tema kryesore ka qenë plotësimi i detyrimeve që rrjedhin nga kjo fazë e përgatitjes së zgjedhjeve dhe nga përfshirja e organizatës "Omonia" në përfaqësimin në këtë fushatë nga PBDNJ. Këtë e konfirmoi vetë Bollano pas takimit të këshillit të përgjithshëm të kësaj organizate, i cili është zgjeruar edhe me pjesëmarrjen e të emëruarve të propozuar prej PBDNJ në administratën publike. Në të ishte i pranishëm jo vetëm Bollano, me cilësinë e kryetarit të përgjithshëm të Omonia-s, por edhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, i cili u është shmangur deklaratave për shtyp. Ky takim ka ardhur pas një komunikate për shtyp, që ka shpërndarë zyra e shtypit e "Omonia-s një ditë më parë. Në të zotëronin tonet denoncuese mbi shkarkimet e vlerësuara pa shkaqe të disa punonjësve të administratës publike, që i përkasin "Omonia"-s dhe PBDNJ-së. Kreu i "Omonias", Bollano, tha se në krye të çështjeve të diskutuara e të vendosura ka qenë marrja e masave konkrete për kompletimin e infrastrukturës zgjedhore, me përfshirjen në komisione e struktura të tjera, që kërkon procesi. Në mënyrë të pandarë nga kjo, ai tha se është diskutuar edhe për atë që e ka quajtur klimë presioni, në të cilën gjenden punonjësit e administratës publike të propozuar nga PBDNJ., Bollano ka qenë denoncues për disa shkarkime të bëra fakt tashmë, sikurse ka përmendur pushimin nga puna të Vasil Margës, kryetar i "Omonia"-s për Delvinën. Të njëjtin fat ka patur edhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kontrollit të Automjeteve në Gjirokastër, apo sekretari i Ministrisë së Punës, Andrea Marto. Drejtori i degës së sigurimeve shoqërore në Sarandë, Ilia Nikolla, tha se dje ka marrë një telefonatë surprizë nga drejtori i përgjithshëm në ministri, që, sipas tij, për herë të parë pas kaq vjetësh në drejtim të degës, e ka pyetur në mënyrë provokuese se ku ndodhej dhe për ç‘arsye nuk gjendej në zyrë. "Jam duke ndezur një qiri në Livadhja", i është përgjigjur Nikolla. Ajo që Bollano ka kërkuar të theksohet qartë nga prononcimi i tij, ka qenë shprehja e bindjes se largimet nga puna apo klima represive që rezervohet për drejtues të emëruar në administratën publike të qeverisjes në nivel qendror apo lokal e rajonal, janë të iniciuara nga nivele poshtë atij të Kryeministrit Berisha. Ai tha se "fushata e shkarkimeve apo presioneve nuk janë as iniciativë dhe as në dijeninë e Kryeministrit Berisha". Ai saktësoi se ato janë produkt i njerëzve që, sipas tij, janë me mentalitet të mbetur prapa në kohë dhe hakmarrës pas deklarimit të marrëveshjes së PBDNJ me opozitën e sotme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›