E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura Shtetërore, nis java e konsultimeve

Stina e verës ka mbërritur, temperaturat janë rritur me disa gradë Celsius, po aq sa edhe tensioni i maturantëve që do të japin provimet, njëkohësisht pretendentë edhe për të vazhduar studimet e larta. Ndërsa shkolla ka përfunduar për të gjithë arsimin parauniversitar, nxënësit maturant tashmë hyjnë në sezonin e punës më të madhe. Javën e ardhshme, ata do të nisin konsultimet për provimet e detyruara. Ndërsa ata, të cilët kanë rezultate kaluese gjatë këtij viti shkollor, sakaq kanë nisur nga puna dhe thurja e planeve për sa i takon fushës që do të zgjedhin e lëndëve me zgjedhje të cilat do të dërgojnë në fakultet. Të tjerët, të cilët nuk kanë pasur nota kaluese, do të quhen të pakualifikuar, si rrjedhojë nuk do të jenë pjesë e provimeve të maturës.

Maturantët shqiptarë do t‘u nënshtrohen konsultimeve për një javë, 25-29 maj, për provimet e detyruara të Maturës Shtetërore. Ndërkohë, konsultimet për provimet me zgjedhje do të zhvillohen pas përfundimit të provimeve të detyruara.

Në të njëjtën kohë, drejtoritë arsimore pritet që brenda datës 25 maj të dorëzojnë pranë Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) emrat e nxënësve të klasifikuar mbetës në përfundim të vitit të fundit të shkollave të mesme, me qëllim që të hiqen nga lista e provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore. Sipas Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, tashmë është përcaktuar stafi që do të merret me hartimin e tezave përfundimtare për provimet e detyruara të maturës gjatë muajit qershor.

Ndryshe nga provimet e vitit të shkuar, për 2009-ën gara e provimeve përfshin një sërë ndryshimesh për lëndët me zgjedhje, ku është vendosur që për akademitë sportive dhe artistike të mos zhvillohen provimet me zgjedhje. Kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta në këtë profil akademik do të përzgjidhen në bazë të rezultateve që do të arrijnë në testimin e pjesës speciale të konkursit, me përjashtim të degës së Arkitekturës, për të cilën do të jepen edhe lëndët me zgjedhje. Bazuar në llojin e degës, konkursi special për këta kandidatë do të zërë deri në 80 për qind të peshës përzgjedhëse të kandidatëve fitues për në universitet. Pjesa tjetër do t‘i atribuohet mesatares së shkollës së mesme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›