LSI, Meta garanton rritje ekonomike
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, i shoqëruar nga nënkryetari dhe kandidati që udhëheq listën e kandidatëve Fier, Dritan Prifti, zhvilloi takime në Zharrë dhe në Portëz të Rrethit të Fierit. Gjatë vizitës në Zharrë, Meta dhe Prifti vizituan zonën e puseve, e cila është krejtësisht e ndotur nga puset e naftës që vazhdojnë të funksionojnë nëpërmjet teknologjive të vjetra dhe të konsumuara. Kreu i LSI garantoi se me ardhjen në pushtet pas 28 qershorit, LSI do të investojë jo vetëm për të mbrojtur shëndetin e banorëve, të cilët jetojnë në këto zona, por edhe për të bërë të mundur hapjen e 6 mijë vendeve të reja pune në sektorin e naftës. Meta theksoi se "dua të shpreh mirëkuptimin më të plotë për këtë problem dhe vështirësitë që ka komuniteti juaj dhe është për të ardhur keq që nuk investohet për të mbrojtur shëndetin e banorëve të Zharrës dhe gjithë këtyre komuniteteve, ku ekzistojnë puse të tilla me teknologji të vjetër". Kreu i LSI u shpreh se "është për të ardhur keq që këto mbetje nuk përpunohen, por përkundrazi shkojnë edhe në Seman, shkojnë edhe në det dhe dëmtojnë në këtë mënyrë mjedisin dhe turizmin në gjithë këtë zonë. Më pas, duke folur për bujqësinë, Meta theksoi se "ne i kuptojmë edhe problemet tuaja, që keni edhe për zhvillimin e bujqësisë, por nuk mund të kuptojmë absurditetin më të madh që një pjesë e banorëve këtu ndjehen të përjashtuar nga punësimi në sektorin e industrisë së përpunimit të naftës".