KLSH: Albpetrol ka rritur abuzivisht numrin e punonjësve
Pas kontrollit dy mujor në "Albpetrol" KLSH raporton se funksionimi i tij ka qenë në mënyrë kaotike
Këshilli Mbikëqyrës ka marrë në punë 290 punonjës më shumë se parashikimi duke shkaktuar 22.1 ml lekë dëm
TIRANË- Kompania Albpetrol ka funksionuar në mënyrën më të keqë duke u bërë shkak për abuzime të rënda me pasoja financiare të paktën përgjatë viteve 2007-2008 për të cilët edhe KLSH ka kryer edhe kontrollin.
Mospërputhje midis urdhrave të drejtorit të përgjithshëm dhe vendimeve të Këshillit Mbikëqyrës, veprime të kësaj të fundit duke shkelur Vendime të Këshillit të Ministrave, moskryerje e detyrës sipas rregullave të paracaktuara si nga Drejtori ashtu edhe nga Këshilli Mbikëqyrës, kjo ka qënë panorama që KLSH ka paraqitur pas kontrollit tek Albpetrol.
Një nga shkeljet më të rënda dhe kosto të konsiderueshme financiare sipas KLSH-së ka të bëjë me rritjen e numrit të punonjësve me gjithë se ishte parashikuar e kundërta në kuadër të risktrukturimit të kompanisë për shkak të privatizimit të saj.
Në dhjetor të vitit 2008, Këshilli Mbikëqyrës i Albpetrolit ka bërë një ndryshim në numrin e punonjësve të përcaktuar për këtë vit nga 4.104 në 4.394 duke marrë në punë 290 punonjës më shumë nga parashikimi i bërë në programin e zhvillimit të kompanisë. Në lidhje me numrin e punonjësve në mbështetje të planit të zhvillimit ka qënë edhe Vendimi nr. 261, datë 27.02.2008 "Për trajtimin e punonjësve që dalin të pa punë nga procesi i ristrukturimit të ARMO sh.a dhe Albpetrol sh.a.". Duke mos zbatuar këtë vendim të qeverisë por edhe programin e zhvillimit të kompanisë, krerët e Albpetptrolit i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm deri në 21.7 milionë lekë.
Krahas kësaj, KLSH raporton se Këshilli Mbikëqyrës ka marrë edhe vendime të tjera që janë në kundërshtim me planin e zhvillimit të kompanisë. Më datë 1 dhjetor 2008 ky organ ka vendosur që të ndryshojë programin e zhvillimit duke rritur zërin e "sponsorizimeve" me tre milionë lekë. Ky veprim është bërë në kundërshtim të statutit pasi ndryshime të tilla bëhen duke vënë në dijeni Ministrinë e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës gjë e cila sipas KLSH-së nuk ka ndodhur. E. S
Drejtori i Albpetrol ka injoruar METE-n
TIRANË- Ish-Drejtori i përgjithshëm i Albpetrolit ka ulur shumën e parashikuar për t'u investuar për përmirësimin e infrastrukturës pa vënë në dijeni METE-n dhe duke shkelur vendimin e Këshillit Mbikëqyrës. Megjithëse nga ky i fundit ishte parashikuar që për vitin 2008 të investoheshin rreth 805 milionë lekë, me vendim të Drejtorit të përgjithshëm në mënyrë të paargumentuar dhe duke shkelur statutin për shkak se nuk ka vënë në dijeni METE-n kjo shumë është ulur në 650 milionë lekë, pra rreth 153 milionë lekë më pak se programi.
KLSh vazhdon edhe më tej me shkeljet e hasura, duke theksuar se edhe pse kompania ishte në vështirësi të mëdha financiare, drejtori i saj i përgjithshëm nuk raportonte tek Këshilli Mbikëqyrës mbi realizimet e kompanisë. " Drejtori i Përgjithshëm nuk ka raportuar për çdo tremujor dhe as për periudha më të shkurtra kohore aq më tepër që shoqëria po përballet me vështirësi të theksuara financiare, mungesën e tregut të shitjes së mallrave, mungesën e likuiditetit, mosarkëtim të mallrave të shitura dhe moslikuidim të detyrimeve si paga, sigurime shoqërore, TVSH ndaj furnitorëve për blerje mallrash, punë apo shërbime", - theksohet në raportin e KLSH-së.