E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS "kryqëzon" draftin e PD-së për dosjet

Partia Socialiste "kryqëzon" projektligjin e PD-së për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, sqaron se kampi i majtë pozicionohet kundër draftit të PD-së për dosjet. Sipas tij, projektligji godet prokurorët dhe gjyqtarët. Deputeti Braçe ka akuzuar mazhorancën, se qëllimi i vërtetë i këtij drafti ligjor është bllokimi i punës së prokurorisë për çështjen e rrugës Durrës-Kukës, për tragjedinë e Gërdecit dhe çështjen "Fazliç". Sipas tij, projektligji për pastërtinë e figurës së zyrtarit të lartë synon pikërisht mbrojtjen e ministrave të qeverisë "Berisha" që po hetohen nga prokuroria. Ligji për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, që pritet të diskutohet të hënën në Parlament, parashikon pushimin nga puna të gjyqtarëve, prokurorëve dhe hetuesve, që para vitit ‘90 janë marrë me çështje politike. Deputeti Braçe sqaroi se "akuzat ndaj ministrit Basha janë penale dhe jo politike, pasi ato vijnë nga institucionet kushtetuese". Duke iu rikthyer çështjes Durrës-Kukës, Partia Socialiste ka akuzuar Kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin Basha, se duke u mbuluar me petkun e rëndësisë që ka ky aks për kombin dhe Shqipërinë, kanë përdorur dhe abuzuar emrin e Kosovës, duke krijuar një rrjet të gjatë korrupsioni e abuzimesh me vlera marramendëse. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, u është referuar shkresave të ministrit të asaj kohe të Drejtësisë, Aldo Bumçi, dhe atij të Financave, Ridvan Bode, për të provuar akuzat se ish-ministri i pandehur i Transporteve, Lulzim Basha, ka injoruar plotësisht shqetësimet e ngritura nga kolegët e tij.

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist shprehu siguri të plotë, se dosja e abuzimeve të rrugës Durrës-Kukës nuk mund të mbyllet pa nxjerrë më parë fajtorët që, siç tha ai, përmes petkut patriotik kanë vjedhur miliona euro të taksapaguesve shqiptarë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›