Gjinushi: “Kartat për Berishën, vdekjeprurëse”
Kryetari i Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi deklaroi nga Shkodra se arsyeja e mos pajisjes së të gjithë shqiptarëve bëhet për të manipuluar zgjedhjet. Gjinushi tha se pajisja e të gjithë qytetarëve me karta identiteti është vdekjeprurëse për kryeministrin Berisha. “Berisha bëri ç’është e mundur që gjithë shqiptarët të mos pajisen me karta, si i vetmi mjet për të manipuluar zgjedhjet”,- tha Gjinushi. Kreu socialdemokrat akuzoi kryeministrin për papërgjegjshmëri për procesin e shpërndarjes së dokumenteve të identifikimit. “Është e papranueshme që një vend anëtar i NATO-s ende të ndajë kartat e identitetit për votuesit; ende nuk ka të garantuar votën për çdo shqiptar dhe kjo për shkak të papërgjegjshmërisë së qeverisë”,- tha Gjinushi. Ai bëri thirrje për ndryshim rrënjësor të kursit të ndjekur në Shqipëri dhe shprehu bindjen se roli i PSD-së do të jetë përcaktues në zgjedhjet e qershorit.
PS-ja shkel 30% e grave për KZAZ-të
Partia Socialiste ka shkelur kuotën 30% të anëtarëve të Komisioneve të Administrimit Zonal të Zgjedhjeve. Kodi Zgjedhor në nenin 29 pika “ç” ka përcaktuar se dy forcat e mëdha politike, 30% të anëtarëve të KZAZ-ve duhet t’i kenë të gjinisë femër. KQZ-ja i ka bërë thirrje të vazhduesve PS-së që të plotësojë këtë kusht. Edhe në mbledhjen e fundit PS-së iu kërkua plotësimi i kuotës. Deri në këto momente PS-ja ka plotësuar vetëm 23%. Afati i fundit i forcave politike për të paraqitur listën e anëtarëve të KZAZ-së ishte 3 prilli. Ndërkohë me vendim të KQZ-së ditën e hënë pritet zëvendësimi i disa anëtarëve të KZAZ-ve të Vlorës dhe Durrësit. Anëtarët e KQZ-së janë shprehur se zëvendësimi i anëtarëve cenon ecurinë e procesit zgjedhor. Sipas tyre anëtarët e rinj nuk do të kenë kohën e mjaftueshme për t’u trajnuar.
11 Maj 2009