E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR-ja i vendos kushte PD-së: Çështja e pronës të zgjidhet gjatë mandatit të dytë



Nënkryetari i Partisë Republikane, Alfred Deshati ka bërë të ditur dje se PR-ja e konsideron çështjen e pronës si problem madhor kombëtar, i cili duhet të zgjidhet përfundimisht gjatë mandatit të ardhshëm të qeverisë së re demokratike. “Ky është kushti dhe dakordësia e arritur në marrëveshjen e Partisë Republikane me PD-në”, është shprehur Deshati. Sipas tij “PR-ja këmbëngul me forcë në kthimin pa vonesë të pronës tek pronari i ligjshëm; rritjen e transparencës në të gjitha proceset e kthimit e kompensimit të pronës nëpërmjet fuqizimit të AKKP –së si dhe pjesëmarrjen në të, të pronarëve; përcaktimi i faturës financiare dhe përcaktimi sistematik i fondit për kompensim, duke insistuar në kompensimin fizik me asete në pronësi të shtetit; verifikimin rigoroz të zbatimit të ligjeve nëpërmjet të cilave është ndarë toka bujqësore, duke evidentuar sipërfaqet e marra padrejtësisht dhe duke ia kthyer ato pronarëve të ligjshëm”,- është shprehur Deshati. Në përfundim ai premtoi se brenda vitit të parë të mandatit të ardhshëm qeverisës do t’u kthejmë pronarëve banesat e zëna nga qiramarrësit.

11 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›