Visar Zhiti dhe poeti rus Jevtushenko në Pen Club-in italian
Nga Milano, Eda AGAJ
Këto ditë PEN Clubi italian në një tubim të vetin në Milano, ku ishin mbledhur krijues nga e gjithe Italia, pranoi si anëtarë poetin e njohur rus Evgeni Jevtushenko dhe poetin shqiptar Visar Zhiti. Por ç’është Pen Clubi? Edhe pse termi Pen na kujton penën dhe duhej të kishte kuptimin e të shkruarit, në fakt PEN është akronim i fjalëve Poet, Eseist, Novelist, pra romancier, dhe pikërisht kështu u quajt së pari klubi i shkrimtarëve në Londër, i themeluar më 1921 me presidentin e parë nobelistin Xhon Gollsuorth, autorin e të famshmes “Sage e Forsajtve”. Pastaj PEN Club-i u përhap dhe në vende të tjera të botës, u ndërkombetarizua, me qëllim që të fuqizonte shkrimtarin, lirinë e tij, duke e konsideruar penën si armë mbrojtëse të njeriut. PEN-i i shkrimtarëve i jep shpirt bashkimit dhe mbron intelektualët nga dhuna e shteteve. Të shumta janë kongreset ndërkombëtare të PEN-it, mbrojtjet që ai u ka bërë shkrimtarëve të burgosur, azilantë, të dëbuar e persekutuar, që nga themelimi deri në ditët tona. Edhe PEN Club-i italian ka një veprimtari të gjerë e autoritet të njohur me disa nga presidentet e saj, që nga Marinetti, Govoni, Silone, Moravia e Mario Luzi, etj, dhe është bërë një institucion i rëndësishëm për të mbrojtur lirinë dhe opinionin e shkrimtarëve kundër dhunës, në zbatim të normave thememlore të “Deklaratës së të Drejtave të Njeriut”. Presidenti aktual i PEN Club-it italian, poeti dhe gazetari i gazetës më të madhe italiane “Corriere della sera”, Sebastiano Grassi, ndoshta jo rastësisht caktoi një ditë të përbashkët për të anëtarësuar së bashku Evgeni Jevtushenkon dhe Visar Zhitin. Të dy i takojnë dy vendeve nga ish perandoria komuniste, i pari shtetit më të madh komunist, superfuqisë, i dyti më të voglit dhe më të varfërit. I pari i lavdishëm në vendin e vet, i mbërritur deri lart në kupolë, i dyti i panjohur, i nëpërkëmbur, madje i flakur poshtë në burg. Jevtusheko ishte i lirë të rebelohej, të kritikonte stalinizmin, të kërkonte përmirësimin e sistemit në realizimin e ëndrrave të papërmbushura, siç do të thoshte dhe vetë në këtë takim, të dilte në mbrojtje nobelistit Sollzheniçinit, të botonte autorët e persekutuar në vendin e vet, kur në pushtet ishte Gorbaçovi dhe vazhdimisht lejohej të shkonte nëpër botë që të lexonte poezitë e veta, duke u përkthyer në 72 gjuhë, siç do ta prezantonte para PEN Club-it personaliteti i kulturës italiane, kritiku i artit, këshilltar në Bashkinë e Milanos, Vittorio Sgarbi. Që nga 1994 Jevtushenko jeton dhe në SHBA, ku jep mësim për poezinë dhe kinematografinë ruse në Universitetin e Oklahoma-s. Ndërsa Visar Zhiti punonte si skllav në minierat e burgjeve, i braktisur nga koleget, i dënuar sipas denoncimit dhe akt-ekspertizave të tyre, madje nuk duhej të shkruante më, as që duhej ta ëndërronte botimin, megjithëse krijonte poezi fshehurazi, shpesh me mend, fletoret e tij duhej të fshiheshin poshtë baltës. Vetëm pas rënies së komuniuzmit mundi të botojë librat e veta, mundi të marrë pjesë në festivale të ndryshme të poezisë. Zhiti do të njihej kështu në hapësirën mbarëkombëtare dhe më gjerë. Në Ballkan do të përkthehej në disa gjuhë të ndryshme, si dhe në Europë dhe Amerike, proces i cili është në vazhdim. I pa dëmshpërblyer, do të zgjidhej edhe deputet në qytetin e tij, ku i kishin dëbuar, do të merrej dhe me promovimin e krijimtarisë së bashkëvuajtësve të vet. Aktualisht punon në Ambasadën e Shqipërisë në Romë, ku përpiqet që t’i japë njohje dhe dinjitet kulturës së vendit të vet. Por Visar Zhitin e bashkon diçka e çuditshme si fill i kuq me Jevtushenkon. Në akt-akuzen e tij, kur dënohej me 10 vjet burg për poezitë e veta, ishte dhe emri i poetit rus, si i një revizionisti të rrezikshëm, si armik i diktatorit Enver Hoxha dhe i partisë së tij, që sundonin Shqipërinë. Se Jevtushenko kishte shkruar dhe një poezi kundër Enverit, qe bërë e njohur në Lindje, por edhe Visari kishte bërë një poezi kundër Enverit dhe ia kishte mërmëritur miqve të tij në ferr. Zhiti student kishte gjetur ca poezi të Jevtushenkos, i kishte përkthyer dhe për këtë duhej të jepte llogari në hetuesi e duhej të torturohoj. Pse ke lexuar librin “Molla” të Jevtushenkos, do t’i ulërinte hetusi N.S. Dhe Zhiti këtij fakti tronditës do t’i kushtonte poemen “Molla e dënuar”, e krijuar me mend në qeli, e cila më vonë do të përkthehej dhe në italisht dhe libri i Zhitit, botuar sëfundmi në anglisht në SHBA do të kishte po këtë titull, “The condemned apple”. Thërrasim të na tregojë përvojën e tij dramatike në këtë takim të Pen Club-it italian, - do të thoshte Presidenti Sebastiano Grasso, poetin Visar Zhiti, i dënuar, sepse poezitë e tij nuk ishin të realizmit sovjetik. Kështu tha ai në praninë e Jevtushenkos, realizëm sovjetik dhe jo socialist, se njëlloj ishin vrastare të dyja. Dhe Zhiti natyrshëm dëshmoi emocionueshëm se si diktatura dënonte gjithnjë e më rëndë poetë dhe lexues, por edhe vetë poezinë. “Edhe Jevtushenko në vendin tim ishte rreptësisht i ndaluar, edhe për shkak të asaj poezisë së tij kundër diktatorit shqiptar, ku ndër të tjera shkruante se Stalini që nga ferri i jepte urdhra Enverit dhe ai i zbatonte me mizori mbi popullin e tij. Prandaj në hetuesi më ulërinin, ritheksoi Zhiti, që pse, pse e ke lexuar armikun Jevtushenko, nga që je armik edhe vetë? Tani unë jam pranë tij në Milano dhe kjo është sfida më e madhe që i bëjmë dhunës, burgut, hakmarrja jonë dhe në emër të atyre që s’janë më”. – u shpreh poeti Zhiti. Kërkesës për të folur për Rusinë e Putinit, Jevtushenko iu përgjigj: “Nuk ka Rusi të tillë, Rusia është e Pushkinit, Gogolit, Dostojevskit, Sollzhenicinit, Mandelshtamit dhe e miqve të tjerë të tij”. Kurse Zhiti, tha se, sipas tij, socializmi, të paktën në Shqipëri, nuk i ka mbështetur artet, por i ka shfrytëzuar ato.
Më pas Evgeni Jevtushenko, i veshur në mënyrë estravagante, me një këmishë të gjatë me ngjyra dhe me shapkë mbi kokë, sëbashku me Visar Zhitin, me kravatë dhe kostum të errët si diplomatët, por që dukej që kishte udhëtuar me tren e autobuza urbanë, patën një takim të veçantë ku u bisedua dhe për zhvillimet social-kulturore në Shqipëri, për pikturën, për të burgosurit politikë. “Unë isha i pari rus që erdhi në vendin tuaj pas rënies së diktaturës, -tha Jevtushenko. “U kisha përkthyer ca poezi fshehurazi, - tha Zhiti, që arrita t’i botoj në shtypin opozitar”. Dhe shkëmbyen libra mes tyre. Zhiti i dha Jevtushenkos vëllimin me poezi në italisht “Kryqi prej mishi”, ku është dhe poezia që i kushtohej atij, revizionistit të ndaluar, ndërsa Jevtushenko i dha Zhitit librin e tij më të fundit në italisht “Në vendin e sikurëve”, ku bëhet sikur jetohet. Në autografin e tij i urohej Shqipërisë përparim.
2 Prill 2008