E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Gabimet me Kushtetutën vështirë të korrigjohen

Deputeti i PS-së, Arben Malaj, flet për ndryshimet kushtetuese, ndryshimet në statut dhe programin e ri të partisë

Zoti Rama ka kërkuar dhe ndryshimet kushtetuese. A ju duket një kërkesë e cila zgjidh një problem imediat apo thelbësor në vend?

Ndryshimet e fundit kushtetuese u bënë me një marrëveshje që bëri zoti Rama me zotin Berisha. Këto ndryshime reduktuan në thelb pushtetin e Presidentit, dëmtuan ndarjen midis pushteteve dhe rriti pushtetin absolut të tyre në partitë politike. Për mua edhe si qytetar problem është që në lidershipet politike të partive të ketë mendësi të tilla që i kushtëzon popullit shqiptar liritë politike dhe duke i dhënë pushtet të pakufizuar disa individëve majtas dhe djathtas. Që të bësh ndryshim Kushtetues, duhet kur ai i shërben një të ardhmeje më të mirë të të gjithë shqiptarëve, që të forcohen institucionet, jo individët. Në qoftë se dëshiron atë që ke bërë gabim, kjo mund të jetë një rrugë racionale. Shqipëria ka ekspertë të shkëlqyer të të Drejtës Kushtetuese, askush nuk u pyet. Më pas u bënë ndryshimet kushtetuese. Ne kemi krizë permanente pasi ndryshimet bënë përqendrim maksimal të pushtetit të kryetarëve të partive. Para pak ditësh u botua një intervistë e Gorbaçovit, i cili u pyet për mbështetjen që i kishte dhënë Putinit në fillim. Argumenti i tij ishte: “Po, sepse shpresova që do ta ndryshonte në mënyrë demokratike vendin tim. Por çfarë ka ndodhur pasi e mbështeta? Guvernatorët i emëron qeveria, nuk i zgjedh më populli. Sistemi elektoral u bë me lista të mbyllura, që e vendos vetëm kryetari i partisë dhe partitë e vogla u fshinë nga skena politike”. Në fund, konkluzioni i tij ishte se kjo nuk është demokraci, por diktaturë në kohë moderne. Në qoftë se ka nevojë dhe patjetër duhet të ketë reformë kushtetuese, duhet të vijë si bashkëpunim i forcave politike dhe jo si një pamundësi e njërës palë për të bllokuar palën tjetër. Në këtë rast PS e ka të humbur davanë. Sepse ndryshimi kushtetues kërkon aq shumë vota sa çdo lloj koalicioni nuk ia mundëson dot.

PS ka ngritur grupe pune për çështjen e statutit dhe programit. Paralelisht ka dhe një ftesë nga ju për bashkëbisedim për demokratizimin e kësaj force politike. Keni dijeni lidhur me ecurinë e punës për programin dhe statutin dhe a mund të bëhen dhe idetë tuaja pjesë e këtij programi?

E para është që grupi i punës është mbledhur vetëm një herë. Nëse do ketë herë të dytë, unë do respektoj detyrimet për të qenë pjesëtar i grupit për programin. Nga ana tjetër thelbi i debateve dhe diskutimeve, qoftë në Tiranë, Durrës e gjetkë, do të jetë për parimet themelore të hapjes së PS-së dhe heqjes së pengesave për shkak të pushteteve në nivel vendor e qendror. PS-ja nuk duhet të jetë parti e kryetarëve të bashkisë me 3 e me 4 mandate, e deputeteve që u jepet mbështetje absolute nga qendra. PS është forca politike që ka anëtarësinë e saj. Të zgjedhurit e saj si deputetë kanë për detyrë të maksimizojnë energjitë pozitive që ka anëtarësia e Partisë Socialiste dhe jo të përqendrojnë pushtet abuziv në duart e tyre. Në qoftë se do vazhdojmë me lista të mbyllura, që do jesh apo s’do jesh deputet e di kryetari i partisë, këto janë modele të cilat nuk maksimizojnë energjinë për fitore. E pastaj bëjmë debate se pse nuk arrijmë që nga partia më e madhe e këtij vendi të kthehemi në partinë qeverisëse të këtij vendi.

Marrë nga “ABC News”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›