E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Do të sjellim në shtëpitë e shqiptarëve ndryshimin e pritur

Kryetari i PS, Edi Rama, ka vazhduar turin e takimeve elektorale në Bilisht, Qarku Korçë. Gjatë këtij takimi, Rama ka prezantuar 7 shtyllat e programit të ri qeverisës. "Do të sjellim në shtëpitë e shqiptarëve ndryshimin e pritur, që nga tryeza e bukës deri te cilësia e jetesës, Shqipëria nuk mund të zvarritet më, por të ecë me ritme të reja, me zhvillim të ri", është shprehur kryetari i PS-së, duke nënvizuar se do të jetë PS-ja dhe ekipi i saj i ri që do të punojnë ndryshe me një vullnet të ri dhe me zgjidhje krejt të reja për këtë vend. Nga Bilishti, lideri i opozitës, vuri gishtin mbi oborrin kryeministror, i cili është i vetmi grup njerëzish që jetojnë një "Shqipëri që po ndryshon". Duke iu drejtuar banorëve të Devollit, Rama tha se "Sali Berisha ju gënjeu. Ne jemi këtu për t‘ju thënë, se ndërkohë që pasi ju gënjeu, Sali Berisha kërkon që të jeni edhe të lumtur, sepse mendon që të gjithë ju, jetoni siç jeton familja e tij, që në fakt është e vetmja familje realisht përfituese në këto 4 vjet qeverisje të Sali Berishës. Ne nuk ju premtojmë, por angazhohemi solemnisht përpara jush, se pas 28 qershorit, naftën do ta keni pa akcizë". Shqipëria, tha Rama, nuk mund të vazhdojë më në këtë gjendje varfërie dhe papunësie. Duke u ndalur në një nga pikat e programit qeverisës, Rama vlerësoi ekzistencën e dy Shqipërive, një që ka mundësi të mjekohet dhe një tjetër që për shkak të varfërisë nuk merr as shërbimin elementar shëndetësor. "Kjo do të ndryshojë", tha Rama, "do ngremë shërbim shëndetësor universal që do t‘u shërbejë të gjithëve pavarësisht kontributeve të paguara ose jo të sigurimeve shëndetësore. "Sali Berisha thotë se Shqipëria po ndryshon. Është e vërtetë, që Shqipëria po ndryshon për një grusht njerëzish, të cilët sot janë shumë më të pasur, të cilët sot jetojnë shumë më mirë, të cilët sot i kanë zgjidhura të gjitha problemet e tyre dhe këta janë njerëzit e familjes së Kryeministrit dhe njerëzit e oborrit të Kryeministrit, ndërkohë që jashtë atij oborri, jeton një Shqipëri tjetër, e cila mezi arrin fundin e muajit, e cila sot 4 vjet më vonë, me rrogat e dyfishuara të Sali Berishës, blen dy herë më pak se 4 vjet më parë", tha Rama. Ai ka premtuar se pas 28 qershorit, do të ketë vetëm një Shqipëri, Shqipëria e qytetarëve e qytetareve pa dallim, të cilët do të kenë pranë shërbimin shëndetësor kombëtar, që do t‘i shërbejë çdo qytetari e qytetareje, qoftë i pasur, qoftë i varfër, njësoj, me të njëjtat kushte dhe me të njëjtin dinjitet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›