E Shtunë, 31 Tetor 2026

By pass-i Plepa-Kavajë-Rrogozhinë

Ndërtimi i këtij segmenti rrugor synon të japë frymëmarrje të plotë për fluksin e automjeteve që vijnë nga Jugu i vendit në kryeqytet dhe anasjelltas. Zgjerimi i rrugës po bëhet i ndarë në tre lote dhe financohet nga buxheti i shtetit. Brenda kësaj vere pritet të bëhet zgjerimi i rrugës ekzistuese, duke e sjellë atë në parametrat e superstradës Tiranë-Durrës. Nga Plepat deri te kufiri ndarës i Durrësit me Kavajën, në vendin e quajtur Përroi i Agait, projekti po zbatohet nga firma "Salillari". Më tej rruga është marrë përsipër nga firma zbatuese "Albavia", ndërsa në lotin e tretë po punojnë firmat "Kirchberger Albania", "Albshpresa" dhe "Mela sh.p.k". Për shkak të kostos së lartë që mund të kishin shpronësimet në rast të zgjerimit të rrugës në krahun e detit, u vendos zgjerimi i saj në krahun e hekurudhës. Kjo rrugë me përfundimin e saj do të ketë katër korsi, nga dy që ka aktualisht. Aksi rrugor është ndër më të ngarkuarit për shkak se është arterie kryesore që lidh Tiranën dhe Durrësin me qytetet e tjera të Shqipërisë së Mesme dhe ato të Jugut.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›