Rama, për të dytën herë në Lazarat
Edi Rama shkel për herë të dytë brenda pak kohësh Lazaratin. Një miting elektoral në qendër të këtij fshati është organizuar dje nga kryetari i Partisë Socialiste, i shoqëruar nga deputeti Vangjel Tavo dhe figura të tjera të PS-së. Rama e ka vizituar edhe më parë fshatin e njohur jugor jo me përmbajtje politike, por gjithsesi si një parathënie të kësaj vizite të dytë. Për shumë vite me radhë, asnjë nga paraardhësit e tij nuk ka mundur të hyjë në këtë fshat-komunë. Kreu socialist akuzoi qeverinë për thellimin e varfërisë në një bastion të saj 18-vjeçar. Përpara banorëve të Lazaratit, kryetari i Partisë Socialiste shpalosi disa nga shtyllat e këtij programi elektoral me sens të theksuar social. Ai premtoi sigurime shoqërore për të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në vendet fqinje, Greqi e Itali. "Brenda mandatit tonë qeverisës, ne do të lidhim marrëveshje dypalëshe me Italinë e Greqinë, për njohjen reciproke të periudhave të sigurimit për efekt pensioni të të gjithë atyre qindra e mijëra shqiptarëve e shqiptareve, të cilët në mungesë të këtyre marrëveshjeve, e kanë të pamundur të bëjnë në atdheun e tyre dhe në atdheun e adoptuar njohjen reciproke të viteve të sigurimit për efekt pensioni", u shpreh Rama. Duke mos i kursyer akuzat ndaj të dy krahëve, të majtë dhe të djathtë, që kanë qeverisur në Shqipëri gjatë këtyre 18 viteve, Rama kërkoi më shumë respekt për njëri-tjetrin, pavarësisht bindjeve politike, pasi sipas tij, politika shpesh i ka përdorur njerëzit si mish për top. "Ruaj respektin më të madh për këtë fshat, për këtë zonë, për të gjithë ju që jeni këtu, për të gjithë ata që nuk janë këtu. Sepse unë besoj që ky vend nuk mund të bëhet vendi ku ne duam të jetojmë dhe të rriten fëmijët tanë, duke e parë njëri-tjetrin me mllef, me përçmime", u shpreh Rama para lazaratasve që kishin mbushur sheshin qendror të fshatit. Ndër të tjera, kreu socialist tha se ky vend mund dhe do të bëhet vendi që ne duam duke respektuar njëri-tjetrin, duke respektuar bindjet dhe duke kuptuar se në fund të fundit, cilësia e jetës në demokraci dhe bashkëjetesa demokratike qëndron në mënyrën sesi takohemi dhe e respektojmë njëri-tjetrin, pavarësisht se nuk jemi dakord. Duke iu referuar tezës së tij që, me sa duket, do të jetë edhe refreni i fushatës së tij elektorale për këto zgjedhje, Rama tha se "Shqipëria reale, Shqipëria e njerëzve të thjeshtë dhe të ndershëm është përtej së majtës e së djathtës".
Sipas fjalës së liderit të opozitës në Lazarat, programi i socialistëve nuk është thjesht një program elektoral për të fituar zgjedhjet, por një dokument serioz i ndërtuar mbi disa shtylla kryesore që zgjidhin me anë të qeverisjes së mirë disa nga problemet më shqetësuese dhe më të pazgjidhura për 18 vjet nga politika shqiptare e të gjitha krahëve kur ka qenë në pushtet.
Sipas fjalës së liderit të opozitës në Lazarat, programi i socialistëve nuk është thjesht një program elektoral për të fituar zgjedhjet, por një dokument serioz i ndërtuar mbi disa shtylla kryesore që zgjidhin me anë të qeverisjes së mirë disa nga problemet më shqetësuese dhe më të pazgjidhura për 18 vjet nga politika shqiptare e të gjitha krahëve kur ka qenë në pushtet.