PS: Do të katërfishojmë ndihmën ekonomike
Kreu i socialistëve, Edi Rama, shpalli dje pesë masat që do të marrë qeveria e re socialiste pas zgjedhjeve për të ulur varfërinë dhe papunësinë. Në kuadër të prezantimit të programit të kësaj partie në Lezhë, Rama vuri në dukje se në fund të mandatit të parë qeverisës, do të jetë katërfishuar ndihma ekonomike, ndërsa do të stimulohet nxjerrja nga skema e ndihmës të familjeve, duke mundësuar punësimin. Rama bëri të ditur se do krijohet Fondi i Integrimit Social. Fondi, brenda vitit 2010, do të bëjë që familjet e varfra të përfitojnë 50 për qind më shumë. Ndërsa në vitin 2011, përfitimi do të jetë dyfish. Si rezultat, qeverisja e re synon që në fund të mandatit të parë, përfitimi i ndihmës ekonomike të jetë katër herë më i madh dhe të gjitha, duke punuar në drejtin të nxjerrjes nga skema e ndihmës familjet, duke stimuluar punësimin e tyre. Rama ka premtuar se me krijimin e Fondit të Integrimit Social do të krijohet mundësia e formimit profesional, çka do të sjellë edhe rritjen e punësimit të këtyre njerëzve që përfitojnë ndihmë ekonomike. "Ka familje që kanë më shumë se dhjetë vjet që jetojnë në papunësi, vetëm me ndihmë ekonomike. Tentativat e pakta për ta kthyer asistencën sociale në skemë aktive kanë dështuar", deklaroi kreu i PS-së. Rama premtoi rikonceptim të programit të Ndihmës Ekonomike, pasi, siç u shpreh ai, shqiptarët nuk do të marrin më ndihmë në formë lëmoshe, por ndihmë për punësim. "Në vend të programit të Ndihmës Ekonomike do të krijojmë Fondin e Integrimit Social. Për përfituesit e ndihmës ekonomike do të ofrojmë shërbime të formimit profesional brenda vitit 2010. Këto shërbime do të rrisin punësimin", deklaroi kryesocialisti. Ai vërejti se edhe pse niveli i varfërisë është 2 dollarë në ditë, programet e ndihmës ekonomike nuk i japin shqiptarëve të varfër më shumë se 40 cent në ditë. "Qeveria nuk arrin pra të zbusë as varfërinë ekstreme", deklaroi Rama. Masat e paraqitura nga kreu i PS-së janë në kuadër të prezantimit të programit qeverisës.