E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi: Paketa e Ramës nuk zgjidh krizën

TIRANE-Për aleatin e socialistëve, kreun e PSD-së Skënder Gjinushi, paketa për integrimin e ofruar nga PS-ja nuk zgjidh krizën politike. Ajo është vetëm për t’i rikthyer opozitës disa të drejta të mohuara në sallën e parlamentit në këto vite. Z.Gjinushi nuk e sheh si zgjidhje të krizës politike në vend draftin e propozuar nga selia rozë, edhe në rast se ajo merret parasysh nga maxhoranca.

“10 pikat janë vetëm për të kthyer në normalitet disa nga shtrembërimet që janë bërë në këto vite. Për të rifituar opozita disa të drejta të dhunuara, sigurisht që po të dhunohen të drejtat e opozitës, dhunohen parimet e demokracisë, prishet stabiliteti demokratik dhe as që bëhet fjalë për të ecur përpara. Pra, këto janë vetëm një hap. Por, dhe pori është kjo që nuk mund të zgjidhet kriza as te kthehet normaliteti me qeverinë që i ka shkaktuar, e cila tashmë ka hyrë në rrugën antiligj, antikushtetutë, antireformë dhe nuk del dot. Nuk mund ti kërkosh qeverisë më të korruptuar në Europë, të luftojë korrupsionin”, - tha Gjinushi. Ai kundërshton akuzat e kreut të qeverisë Sali Berisha se është opozita e majtë e kryesuar nga Edi Rama ajo që përmes bllokimit të ligjeve në Kuvend po bëhet pengesë serioze për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Kreu i PSD-së Skënder Gjinushi shton se është pretendim i naiveve apo dashakeqëve që konsensusi i munguar i opozitës në parlament për ligjet me 3 te 5 e votave po pengon marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas tij, nëse siç pritet vjen refuzimi i radhës për Shqipërinë nga BE, përgjegjësia është krejtësisht e qeverisë të cilën e akuzon se e ka lënë vendin tonë në fund të rajonit për proceset integruese. Para disa ditësh kreu i socialistëve Edi Rama publikoi një paketë me 10 pika sipas të cilit po ia ofronte maxhorancës për bashkëpunim. Maxhoranca përmes kreut të saj Sali Berisha e konsideroi këtë paketë si kushte për të bllokuar procesin e integrimit të Shqipërisë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›