Pranga policit të burgut, plagosi bashkëshorten dhe i terrorizoi familjen
Një gardian i burgut të sigurisë së lartë në Tiranë është arrestuar pasi ka dhunuar bashkëshorten dhe ka terrorizuar familjen e saj. “Nga Komisariati i Policisë Nr.3 Tiranë u krye dje arrestimi në flagrancë i shtetasit Alfred Ndreca, 49 vjec, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie në Burgun 313 Tiranë. Arrestimi i tij u krye sepse mbrëmë rreth orës 21.00’, në banesën e tij, për motive të dobëta ka kërcënuar dhe më pas e ka plagosur lehtë me mjete të forta bashkëshorten e tij 32-vjeçare”, njoftoi dje policia e kryeqytetit. Sipas policisë, gardiani 49-vjeçar Alfred Ndreca pas konfliktit me bashkëshorten e tij, ka qëlluar me armë në ajër në oborrin e banesës së krushkut të tij. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e shërbimit, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat të Kanosjes dhe Prishjes së rendit e të qetësisë publike. Denoncimi për gardianin ka ardhur nga të afërmit e bashkëshortes së tij, të cilët kanë denoncuar ditën e mërkurë në komisariatin numër 3 të kryeqytetit dhunën dhe terrorin e ushtruar ndaj tyre prej 49-vjeçarit Ndreca.