Gjyqi “Meta-Prifti”, betohet dhe eksperti i tretë
Është betuar dje para Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për ruajtjen e sekretit të ekspertimit, Artur Rrahmani, një nga 3 ekspertët e caktuar për të bërë ekspertimin e videos së përgjimit ‘Meta-Prifti’. Betimi i tij vjen vetëm 2 dite pas betimit të Ardian Pollos dhe Ermal Beqirit, pas mungesës në atë seancë të Rrahmanit për arsye shëndetësore. Tre ekspertët, që do të ekspertojnë video-regjistrimin ‘Meta-Prifti’, pas publikimit të të cilit Meta u akuzua për ‘korrupsion’, u caktuan nga Gjykata e Lartë në seancën e 23 shtatorit. Në realizimin e ekspertimit, ata duhet t’u përgjigjen 18 detyrave të kërkuara nga Kolegji Penal. Por ekspertimi i provave, si USB-ja, ora dhe lap-topi, u kontestua nga Prokuroria, që pretendon se vënia në dispozicion e grupit të ekspertëve, të orës-kamera për ta ekspertuar, shton rrezikun e daljes së sekretit dhe publikimit të një videoje të dytë të regjistruar po në këtë aparaturë. Më shumë sesa dëmtimi i hetimeve, frika e Prokurorisë ka të bëjë me faktin se dalja e videos do të ishte një mjet presioni në duart e personave të interesuar për ta detyruar Dritan Priftin që të tërhiqet nga dëshmia e tij. Kryerja e ekspertimit do të bëhet në prezencë të një përfaqësuesi nga Prokuroria. Edhe pse ekspertët e caktuar nga gjykata kanë marrë detyrat konkrete për këtë çështje që më datën 24 shtator, betimi i dy prej tyre është kryer vetëm më datën 28 shtator, ndërsa betimi i ekspertit të tretë u krye dje. Më datën 28 shtator në Gjykatën e Lartë u zhvillua një seancë e pa parashikuar, ndërsa në minutat e fundit Gjykata e Lartë ka nxjerrë edhe një shpallje në faqen e saj zyrtare. Seanca e radhës ishte parashikuar të zhvillohej vetëm pas përfundimit të akt-ekspertimit, pra më datën 24 tetor, por çuditërisht gjykata zhvilloi më datën 28 shtator një seancë të papritur, vetëm për kryerjen e betimit nga ekspertët. Të pranishëm, përveç palëve, ishin edhe dy nga ekspertët e përzgjedhur nga gjykata, Ardian Pollo dhe Ermal Beqiri, ndërsa mungonte eksperti tjetër Artur Rahmani, i cili kreu betimin e tij ditën e djeshme.