E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimet pa leje, përplasje mes prefektit dhe kryetarit të bashkisë

Sipas prefektit të qarkut, duhet të merret shembulli i Bashkisë së Tiranës për menaxhimin e territorit

ELBASAN Me iniciativën e prefektit të Elbasanit, Shefqet Deliallisi, u zhvillua në prefekturë një takim për parandalimin e ndërtimeve pa leje në shkallë qarku. Në këtë takim kanë qenë të pranishëm të gjithë kryetarët e bashkive, drejtues të nënprefekturave si dhe struktura të tilla si Inspektorati shtetëror i ndërtimit, Aluizni etj. Në fjalën e marrë me këtë rast prefekti Shefqet Deliallisi u shpreh se “gjatë kësaj periudhe ka informacione se ka mjaft ndërtime pa leje në territoret e bashkive dhe komunave dhe se gjithçka ndodh përballë indiferencës së pushtetit vendor. Ndërtimet janë shtuar veçanërisht gjatë fushatës elektorale dhe strukturat përgjegjëse nuk kanë bashkëpunuar mes tyre për të parandaluar fenomenin”. Deliallisi evidentoi faktin se bashkitë e ndërpresin punën deri në faktin e evidentimit, dhe nuk vazhdojnë më tej deri në prishjen e tyre. “Keni humbur kontrollin ndaj territorit. Kam informacione se në një bashki të vogël gjatë kësaj periudhe janë ndërtuar 60 ndërtime pa leje. Gjithçka ndodh nën hundën e kryetarit të bashkisë. Dyshoj se ata janë në dijeni dhe madje pronarët e këtyre ndërtimeve janë favorizuar edhe për fushatë elektorale. Jo vetëm kaq, por ka ndodhur që ndërtime të tilla janë lejuar edhe pranë objekteve të rëndësisë së veçantë, si p.sh. në afërsi të ujësjellësve etj”. Shefqet Deliallisi tha se Bashkia e Tiranës është për t’u marrë shembull dhe se në mënyrë urgjente duhet të vendoset kontrolli mbi territorin”.

Ka reaguar menjëherë kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili u shpreh se shkaqet e gjithë kësaj katrahure vijnë nga mangësitë ligjore. “Tre nga katër kryeinspektorët e bashkisë ndodhen në proces gjyqësor dhe kjo ndodh sepse pronarët ankohen në prokurori e gjykatë e kështu nis çështja penale ndaj bashkisë. Pronarët fitojnë proceset gjyqësore e bashkia paguan dëmshpërblimin. Është për të ardhur keq gjithashtu se edhe kur dihet që ka një miratim nga KRTSH për qendrën e qytetit, aty vazhdojnë të kryhen ndërtime pa leje. Të gjithë këta pronarë ose kanë një prapavijë mbështetëse politike ose garanci ligjore. Shfrytëzohet në mënyrë të pistë Aluizni e për pasojë ne jemi të pafuqishëm”. Kryebashkiaku i Elbasanit hodhi idenë e krijimit të një strukture të përbashkët nën drejtimin e këshillit të qarkut. “ Si bashki ne po shohim mundësinë e heqjes së kësaj strukture e jemi gati të paguajmë të gjitha detyrimet e të japim informacionin e nevojshëm vetëm që të ndalet ky fenomen. Ligjërisht nuk është kompetencë e policisë bashkiake, por e inspektoratit ndërtimor”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›