Gjinushi: “Qeveria është mashtrim i pastër elektoral”
Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, ka hedhur akuza të ashpra në drejtim të qeverisë së re. Ai e ka cilësuar ilegjitime bashkëqeverisjen PD-LSI, për të cilën tha se është produkt i një mashtrimi të pastër elektoral. Gjinushi ironizoi ceremoninë e betimit të anëtarëve të qeverisë “Berisha 2”. Kreu i PDS-së inkurajoi dhe mbështeti vendimin e Partisë Socialiste për të bojkotuar Kuvendin. Sipas tij, qeveria e re nuk është ngritur mbi bazën e vullnetit të zgjedhësve, teksa theksoi gjithashtu se bojkoti është një hap shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e votës së lirë dhe rikthimin e legjitimitetit të institucioneve. “Qeveria e re nuk u ngrit për zbardhjen e krimit të Gërdecit, por për mbulimin e tij, duke shkatërruar përfundimisht Drejtësinë dhe Gjyqësorin në Shqipëri. Bojkoti i Kuvendit është një lëvizje e domosdoshme e opozitës, e cila kërkon rikthimin e votës së lirë, kërkon rikthimin e legjitimitetit të institucioneve, të cilat duhet të ngrihen vetëm me zgjedhje të standardeve europiane”, - tha kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi.
19 Shtator 2009