Klosi: “Nuk tërhiqemi nga bojkoti, kemi mision mbrojtjen e votave”
Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, deklaroi dje se Partia Socialiste nuk do të tërhiqet nga vendimi i saj për bojkotin e Kuvendit. Klosi tha se PS-ja tashmë ka ndërmarrë misionin e shenjtë të mbrojtjes së votave, dhe ky mision nuk mund të quhet i realizuar në rast se do të tërhiqet nga kërkesa e saj për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Sali Berisha i trembet të vërtetës së kutive të votimit, të cilat i mban peng në mënyrë të kundërligjshme. Ne nuk hyjmë në këtë Parlament të rezultateve të deformuara dhe të kutive të mbyllura. Ne nuk kërkojmë ta marrim pushtetin në tavolinë, por do të kërkojmë zbardhjen e së vërtetës së 28 qershorit. Nuk mund të ketë mision më legjitim për një opozitë demokratike sesa mbrojtja e votës, ligjit e Kushtetutës. PS-ja është e vendosur në rrugën e saj legjitime për të mos lejuar që ligji të kthehet në një letër pa vlerë, që zgjedhjet të kthehen në një proces të korruptuar, që tufat e kriminelëve të lejohet të dalë nga burgjet për fushatë elektorale, që drejtuesit e shtetit të përdorin postet dhe fondet publike për fushatë elektorale, që njerëzit të largohen nga puna pse nuk rreshtohen me pushtetin. Ne, sot, më të vendosur se kurrë, do të mbrojmë demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Do të mbrojmë çdo njeri shqiptar apo shqiptare kudo që të jetë nga kamxhiku i patolerueshëm i pushtetit”, - tha Klosi. Më tej deputeti socialist komentoi edhe formimin e kabinetit qeveritar, të cilin e quajti qeverinë e re të politikës së vjetër. “I paaftë dhe i painteresuar për të dhënë zgjidhje halleve të qytetarëve, Sali Berisha dëshmoi dhe njëherë se nuk do të qeverisë dot ndryshe, por do të vazhdojë mjeshtërisht pasurimin e oborrit të tij personal, pavarësisht patericave të reja që i ofroi Ilir Meta me votat e marra falë një mashtrimi të madh publik. Sali Berisha me ministra të kërkuar nga Drejtësia dhe me ministra që mashtruan popullin opozitar nuk mund ta qeverisë dot në mënyrë demokratike vendin, prandaj Partia Socialiste është çdo ditë dhe më e vendosur të vazhdojë misionin e saj historik, atë të rezistencës demokratike në plotësim të standardeve të munguara”, - deklaroi deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi.
19 Shtator 2009