E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: Qeveria të bëjë zgjedhjet, të tjerat i plotësojmë ne

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, u shpreh se detyra kryesore që i takon qeverisë aktuale që ta përmbushë, mbeten vetëm zgjedhjet. "Sa për detyrimet e tjera, deklaroi kreu i PSD-së, do t‘i plotësojmë ne kur të vijmë në qeveri".

Në situatën kur Shqipëria sapo është bërë anëtare me të drejta të plotë në NATO, Gjinushi nënvizoi se vendit i mbeten ende shumë detyra të tjera për të realizuar, në mënyrë që të kërkojë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

"Në fakt, ne ndodhemi në një situatë të rrallë dhe kemi ende shumë detyra për të kryer. Para janë zgjedhjet dhe ato janë kushti kryesor që Shqipëria të synojë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian", u shpreh ai. Për të, rëndësi kanë zgjedhjet, ashtu si dhe reforma në drejtësi, e cila, sipas kreut socialdemokrat, nuk është realizuar ende nga kjo qeveri. "Veç kësaj, kemi dy reformat e rëndësishme që nuk janë bërë nga qeveria, që janë zgjedhjet dhe reforma në drejtësi. Në këtë kuadër, të gjithë aleatët tani janë kritikë për të dyja reformat. Por kushti kryesor mbeten zgjedhjet", theksoi ai. Gjinushi përshëndeti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por kritikoi qeverinë se në këto katër vite nuk ka bërë asgjë për reformat në vend.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›