Starova: Dita e anëtarësimit, të shpallet festë zyrtare
Presidenti i Këshillit Atlantik të Shqipërisë, Arian Starova, u shpreh dje se dita e zyrtarizimit të anëtarësimit tonë në NATO, duhet të shpallet festë kombëtare. Kjo organizatë është krijuar 15 vjet më parë nga ish-presidenti Alfred Moisiu. Në një konferencë për shtyp, presidenti i kësaj shoqate, Arian Starova, tha se "për elitën politike të Shqipërisë, e cila ka qenë përherë e bashkuar për arritjen e synimit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, për qeverinë e tanishme dhe Kryeministrin Berisha, të cilët përshpejtuan dhe mbyllën me sukses këtë anëtarësim, do doja të përsërisja propozimin tim në fjalën e mbajtur para pak ditësh në Kuvend me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, për të shpallur me ligj njërën prej ditëve të para të prillit 2009 si ditë e NATO-s".