E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Shqipëria në NATO, përgjegjësi për të gjithë politikën

Pas anëtarësimit me të drejta të plota në Aleancën Euroatlantike, të gjitha forcat politike duhet të angazhohen për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky është qëndrimi i kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, një ditë pas Samitit të NATO-s. Meta u shpreh se anëtarësimi është një lajm i mirë dhe se populli shqiptar e meriton atë. Por Shqipëria në NATO, shtoi Meta, është njëkohësisht një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe për politikën shqiptare, për qeverinë, por edhe për opozitën, për të realizuar zgjedhje të ndershme dhe të lira". Kreu i LSI-së përmendi edhe çështjen e kartave të identitetit, për të cilën duhet gjetur një zgjidhje, në mënyrë që të gjithë shqiptarët të kenë mundësinë për të votuar dhe për të shprehur vullnetin e tyre. Meta theksoi se Shqipëria në NATO është një përgjegjësi shumë e madhe për politikën shqiptare që ta kthejë këtë mesazh sigurie dhe lirie për kombin tonë në një avantazh për mirëqenien dhe për punësimin e shqiptarëve. Ndërsa para zhvillimit të samitit, Meta është shprehur se Shqipëria në NATO është një mesazh lirie dhe sigurie, që ne nuk duhet ta përdorim thjesht për kapital të brendshëm politik. Veç popullit shqiptar, anëtarësimin në NATO, kreu i LSI-së ia njohu si meritë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidershipit të tyre dhe vetë NATO-s për të forcuar sigurinë në rajon. Deklaratat e Metës u bënë pas pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Minoriteteve, të organizuar nga Partia Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Gjatë këtij takimi, Meta shprehu shqetësimin e tij, duke thënë se është për të ardhur keq që kërkohet të arrihet një proces integrimi i vendit tonë në Bashkimin Evropian, kur ne brenda vendit kemi jo procese integruese, por polarizuese nga pikëpamja sociale, shoqërore, ekonomike. Në këtë drejtim, Meta shtoi se, ne shohim që ka shumë fjalë, por nuk ka veprim, nuk ka vendime, nuk ka projekte dhe nuk ka ndërgjegjësim real për të rritur kushtet e jetesës në këto pakica. Meta gjeti rastin që të shpalosë programin e LSI-së për këtë sektor. Ai tha se do të synohet punësimi jetik për të ndihmuar shtresat më të prekura të shoqërisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›