E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: Pas NATO-s, prova janë zgjedhjet

Zgjedhjet e përgjithshme, cilësia e reformave dhe zbatimi i ligjeve janë detyrimet që i lindin Shqipërisë për të qenë anëtare e denjë e NATO-s. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, e vetmja përfaqësuese e opozitës në Samitin e Strasburgut, u shpreh dje për "Shqip" se vendi ynë duhet të punojë fort për të kapur dhe ecur me të njëjtat ritme të vendeve të tjera anëtare të aleancës euroatlantike. "Shqipërisë iu dha mundësia për të qenë e barabartë në këtë Aleancë, po nuk mjafton që të qëndrosh në të njëjtën tryezë për t‘u ndjerë partner i barabartë. Duhet punë e madhe për të arritur në nivelin e atyre vendeve, aq më tepër që vetë NATO nuk qëndron në vend. Debati kryesor i Aleancës sot është koncepti i ri strategjik që po përpunohet, që do të thotë se Shqipëria ka një sfidë të madhe përpara. I duhet tjetër ritëm e kapacitete për ta përballuar", deklaroi Leskaj. Pas këtij hapi, aleatët janë të bindur se Shqipëria është gati që të marrë përsipër përgjegjësi më të mëdha. Leskaj citoi ish-presidentin Bush, në Samitin e Bukureshtit, një vit më parë, i cili u shpreh se "këto vende janë gati të marrin përsipër përgjegjësi". "Besoj, është e qartë se përgjegjësitë lidhen në radhë të parë me pritshmëritë për reformat që nisën, por që ende nuk kanë përfunduar dhe që kjo mazhorancë provoi që nuk është në gjendje t‘i bëjë më. Ajo që duhet të bëjë qeveria sot, është të ofrojë minimumin, pra mundësinë e qytetarëve për të votuar", nënvizoi kryetarja e grupit parlamentar të PS-së. Por, duket se si faktori ndërkombëtar edhe opozita, sytë i kanë kthyer tek ecuria e procesit zgjedhor të këtij viti. Shqipëria ka një sërë detyrimesh që kanë të bëjnë së pari me cilësinë dhe qëndrueshmërinë e reformave dhe me zbatimin e ligjit. "Të gjitha këto reforma, tha Leskaj, ndër të tjera, janë reforma që lidhen me çështje të sigurisë, me një sistem drejtësie e administratë publike profesionale e të pavarur e, natyrisht, në radhë të parë me zgjedhje të lira e të ndershme, për të cilat ende nuk po ofrohen garancitë e nevojshme për sa kohë që çështja e kartave të identitetit po i rrezikon seriozisht zgjedhjet".

Një tjetër çështje që kërkon garanci nga shteti shqiptar e që është përfshirë edhe në dokumentin përfundimtar, është ajo e të drejtave të njeriut. Në këtë pikë, opozita synon sërish te zgjedhjet. "Mendoni një vend, anëtar i NATO-s, që duhet të jetë kontribuues i sigurisë, kontribuues për çështje që lidhen me të drejtat e njeriut në vende të tjera, të mos jetë në gjendje të sigurojë për shtetasit e vet të drejtën bazë që lidhet me të drejtën e votës. Çështja e zgjedhjeve është standard demokracie, është prova e parë e seriozitetit dhe e garancive për Shqipërinë", u shpreh kryetarja e grupit të PS-së.

Lidhur me debatin kryesor të Aleancës për konceptin e ri strategjik, për Leskajn, Shqipëria duhet të punojë fort. Ajo e konsideron një sfidë të madhe për vendin. "Ndaj, vijoi Leskaj, vetëm vullneti nuk mjafton, i duhet tjetër ritëm e kapacitete për ta përballuar këtë sfidë. Gjithsesi, festa mbaroi, veçanërisht politika duhet të reflektojë në atë që vjen pas, në detyrat e përgjegjësitë që burojnë nga të qenit anëtar i NATO-s".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›