Gjinushi: “Reforma në Drejtësi realizohet vetëm pas zgjedhjeve”
Edhe Partia Social-Demokrate ka shprehur shqetësimin e saj për degradimin që po pëson reforma në Drejtësi. Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, tha se reforma në Drejtësi po dështon, pasi qeveria dhe kryeministri Berisha, me projektligjet e propozuara prej tyre, nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po tentojnë të vënë në kontroll, Prokurorinë, Gjyqësorin, administratën gjyqësore dhe Avokatinë. Gjinushi tha se qeveria nuk duhet të fshihet pas NATO-s, por se kryeministri duhet të japë llogari për të gjitha aferat kriminale ku rezulton i implikuar. Gjinushi deklaroi se reforma në Drejtësi mund të realizohet vetëm pas zgjedhjeve, kur të largohet maxhoranca aktuale. “Qeveria e Berishës nuk mund të fshihet pas NATO-s. SHBA-të, që janë dhe mbështetëset dhe sponsorizueset kryesore të anëtarësimit tonë, janë dhe denoncueset kryesore të antireformave të kësaj qeverie, duke i bërë të qartë qeverisë se në NATO do të anëtarësohet Shqipëria dhe jo banda e Sali Fazlliçit”, - deklaroi Gjinushi. Kryetari i PSD-së theksoi se qeveria aktuale e ka humbur legjitimitetin për të realizuar një prej reformave më të rëndësishme në vend, siç është reforma në Drejtësi. Gjinushi tha se qeveria aktuale është në konflikt interesi me Drejtësinë, pasi si kryeministri, ashtu edhe ministrat janë të implikuar në afera korruptive, që tashmë po hetohen nga Prokuroria. Për këtë arsye kryetari i PSD-së tha se reforma në Drejtësi mund të realizohet vetëm pas zgjedhjeve të vitit 2009, kur do të largohet edhe kjo qeveri. “Ne si PSD shprehim sot publikisht vlerësimin tonë se kjo qeveri ka dështuar përfundimisht në çdo tentativë për të bërë një reformë reale në Drejtësi; se kjo qeveri nuk ka më legjitimitet për të bërë reforma në Drejtësi, sepse është në fund të mandatit. Ditët e saj janë të numëruara e mbi të gjitha sepse kjo qeveri është në konflikt të pastër interesash me Drejtësinë. Pasi të gjitha aferat e mëdha, si çështja ‘Fazlliç’, Gërdeci, rruga ‘Durrës-Kukës’, Remzi Hoxha etj., në të gjitha këto është implikuar drejtpërdrejt qeveria dhe kryeministri. Reforma në Drejtësi mund të bëhet vetëm nga një shumicë e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme, vetëm nga një shumicë ligjore në bashkëpunim me një opozitë të shëndoshë dhe konstruktive, realitet që do të krijohet në vend vetëm pas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, - tha kryetari i Partisë Social-Demokrate, Skënder Gjinushi.
29 Tetor 2008