E Diel, 1 Nëntor 2026

Braho: “Alibeaj të dorëhiqet, është në konflikt interesi me Drejtësinë”

Deputeti i LSI-së: “Ministri i Drejtësisë shkatërroi reformën në Drejtësi”. Braho: “PS-ja po shet te Berisha imunitetet e drejtuesve të institucioneve të Drejtësisë”

Shaban Sulçe

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, tha se ministri Alibeaj, me projektligjet e propozuara për reformën në Drejtësi, ka shkaktuar konflikte me institucionet e pavarura. Braho theksoi se Alibeaj duhet të japë dorëheqjen nga posti i ministrit të Drejtësisë, pasi ai është në konflikt me Drejtësinë, duke qenë se rezulton i pandehur për tragjedinë e Gërdecit. “E kemi theksuar edhe më parë - po e përsërisim përsëri edhe sot, jo vetëm për ne, por për të gjithë komunitetin e gjerë të juristëve shqiptarë – është i papranueshëm qëndrimi në detyrë i ministrit Alibeaj, jo vetëm për kontradiktat e thella që ai ka krijuar me institucionet e pavarura të Drejtësisë, por se ai ka konflikt interesi dhe është një ministër që pandehet si i inkriminuar në tragjedinë e Gërdecit, të cilin po e heton organi i Prokurorisë, ndaj ai duhet të largohet si i papërshtatshëm për të drejtuar institucionin e Ministrisë dhe reformën në Drejtësi”, - tha Braho.

Projektligjet

Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, tha se LSI-ja mbështet shqetësimet e shprehura në Rezolutën e Shoqatës së Gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, noterëve dhe të gjitha grupeve të interesit lidhur me sulmin frontal që ka ndërmarrë qeveria në nismat e saj ligjore. Braho tha se projektligjet e propozuara nga qeveria dhe veçanërisht nga ministri i Drejtësisë jo vetëm që e shkatërrojnë reformën në Drejtësi, por tentojnë të cenojnë rëndë pavarësinë e institucioneve të pavarura të sistemit të drejtësisë. “Theksojmë edhe një herë se ankimet ligjore të llojit Alibeaj nuk janë pjesë e synimeve për reforme, por synimi i vendosjes së kontrollit të Ekzekutivit mbi institucionet e Drejtësisë për t’i rrënuar ato. Arnimo Reforma Alibeaj po synon për të monopolizuar pushtetin e Ekzekutivit dhe jo për të ruajtur balancat. Ajo është shfaqur frikshëm tani si një burim arrogance dhe imponimi i iniciativave ligjore edhe antikushtetuese, duke bërë presion e sulmuar punën dhe direkt punonjësit e organeve të Drejtësisë”, - vijoi Braho.

Imunitetet
Deputeti i LSI-së kundërshtoi edhe konsensusin paraprak të dhënë nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike për ndryshimin e Kushtetutës për çështjen e kufizimit të imunitetit të deputetëve. Braho tha se këto propozime i përngjasojnë ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit dhe e masakrojnë sërish Kushtetutën. Braho e akuzoi Partinë Socialiste se po lëshon në pazarin me Berishën imunitetet e përfaqësuesve të institucioneve të pavarura të Drejtësisë, si KLD, Gjykata e Lartë etj. “Synohet përsëri të preket dhe ndryshohet Kushtetuta si më 21 prill të këtij viti, në afro 10 nene të saj. Kjo kasaphanë e re dhe këto ndryshime në Kushtetutë z. Bufi synon t’i paraqesë si standarde të reja, gjuhë kjo tërësisht demagogjike, pasi “Varianti i ri i ndryshimeve” nuk ka synim vetëm kufizimin e imunitetit të deputetëve (gjë për të cilën LSI-ja është jo për të kufizuar, por për ta hequr fare imunitetin), por goditja e radhës dhe lënia pa mbrojtje ligjore e institucioneve të pavarura dhe punonjësve të tyre, duke filluar nga KLD-ja, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, gjyqtarët e niveleve të ulëta, prokurorët si dhe të gjitha institucionet e tjera. Kështu ia kërkon Berisha përfaqësuesit të PS-së Ylli Bufi, kështu kërkon të bëjë ai duke i lënë ata (se pak janë deri tani) në mëshirën e presioneve, sulmeve e intrigave të kësaj maxhorance dhe titullarët e saj të çmendur”, - deklaroi deputeti i LSI-së, Spartak Braho.

29 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›