Gjinushi: Topi bëri mirë, ligji ishte antikushtetues
Kreu i socialdemokratëve, Skënder Gjinushi, e cilësoi edhe dje si antikushtetues projektligjin për hapjen e "Dosjeve". Një nismë e tillë në vlerësimin e Gjinushit ishte e drejtuar veçse kundër institucioneve të drejtësisë dhe konkretisht organit të prokurorisë. Në mënyrë krejt paradoksale tha Gjinushi, ligji merret me verifikimin e atyre që do të jenë qeverisja e nesërme, por nuk verifikon kabinetin aktual qeverisës dhe deputetët aktualë. Kreu socialdemokrat e konsideroi të drejtë mosdekretimin e ligjit nga Presidenti, i cili preferoi heshtjen. Ai premtoi se do të vijohet me kontestimin e kësaj nisme, siç parashikon Kushtetuta. Gjinushi insistoi se mazhoranca po synon të fshehë korrupsionin e saj, duke sulmuar prokurorët që hetojnë skandalet e ministrave dhe Kryeministrit.