Ngjela: 90% e kryetarëve të PD në rrethe janë spiunë
Ligji i "Dosjeve" i cili ka hyrë në fuqi dje pa firmën e Presidentit të Republikës ka qenë objekt i debatit në emisionin "Top Story", të drejtuar nga Sokol Balla, në "Top Channel". Të ftuarit e këtij emisioni ishin deputetët Spartak Ngjela dhe Skënder Gjinushi, analistët Mark Marku dhe Andi Bushati, si dhe përfaqësuesi i të përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni. Gjatë komentit të tij, Ndregjoni ka theksuar edhe një herë qëndrimin e shtresës që përfaqëson, se ky ligj i lustracionit është i nevojshëm, pasi ata kanë vite që e kanë kërkuar. Ky ligj, ka shtuar ai, i cili është miratuar nga Kuvendi, nuk është sipas objeksioneve që ata kanë bërë para Presidentit dhe Parlamentit. Ndërsa deputeti Spartak Ngjela ka deklaruar se ky ligj nuk përfaqëson asgjë, është një tallje e radhës që punistët bëjnë për historinë e tyre. Ngjela ka theksuar se "ligji duhet të kthjellohet dhe të merret me formacionin politik, por kjo nuk ndodh, sepse nga formacioni politik vijnë ata që sot flasin për ligjin. 90% e kryetarëve, sekretarëve të përgjithshëm të PD-së në rrethe kanë qenë agjentë të Sigurimit të Shtetit". Për Ngjelën, ky ligj është në shkelje me Kushtetutën. Ndërsa analisti Mark Marku ka deklaruar se të gjitha ligjet e miratuara në vende të ndryshme të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore janë ligje antidemokratike, pasi kushtëzojnë të drejtat e dikujt. Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, tha se ligji ka dy pjesë: e para, për dosjet, që ka të bëjë me hapjen e dosjeve që është e panjohur; e dyta kufizimi i përkohshëm për të kryer detyra të caktuara, për shkak të një funksioni publik që ka pasur më parë. Për sa i takon antikushtetutshmërisë, këto ligje janë justifikuar, ndaj bëhen direkt pas diktaturës dhe bëhen me veprim të përkohshëm. Për Gjinushin, dosjet janë hapur një herë dhe janë gjykuar shumë veta.