E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Ligjin e "Dosjeve" do ta çojmë në Kushtetuese

Partia Socialiste premtoi dje se do të çojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin e "Dosjeve". Një ditë pasi ky akt hyri në fuqi, nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, bëri të ditur nismën e re. "Pa dyshim, që do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese", u përgjigj ai, teksa u pyet për qëndrimin e mëtejshëm të opozitës. Nuk qëndroi larg vëmendjes së numrit dy të deputetëve të selisë rozë as largimi i prokurorit Shtylla, i akuzuar nga mazhoranca për pjesëmarrje në procese politike para viteve ‘90. "Sa për procesin hetimor të Gërdecit, vijoi Braçe, po ju them se armiku kryesor për të zbardhur dhe për t‘i shkuar deri në fund krimit apo vrasjes shtetërore, është Sali Berisha". Drejtuesi socialist komentoi edhe dorëheqjen e prokurorit kryesor të kësaj çështjeje, Zamir Shtylla. "Do të ndikojë apo jo dorëheqja, këtë nuk mund t‘ua them dot sot, sepse nuk jam në brendësi të hetimeve. Por, do të doja t‘ju thosha se deri ditën e fundit kur përpara drejtësisë të shkojnë këta njerëz, nuk do të ketë absolutisht asnjë tërheqje nga kërkesa për drejtësi", nënvizoi Braçe. Në mbështetje të ligjit duhet që Gjykata Kushtetuese të vihet në lëvizje me kërkesën e jo më pak se një të pestës së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Ligji i "dosjeve" hyri në fuqi para dy ditësh, pasi kreu i shtetit "abstenoi". Bamir Topi konsumoi të gjithë afatin e përcaktuar ligjor dhe nuk preferoi të vendoste një firmë, miratuese apo kundërshtuese të këtij ligjit. Kreu i shtetit zgjodhi në këtë mënyrë një prej tre mënyrave që ia lejon Kushtetuta, çka paralelisht mund të cilësohet si një mosmiratim. Kohët e fundit, ky ligj u shndërrua në objekt përplasesh mes funksionarëve të mazhorancës dhe kreut të shtetit. Shumica zgjodhi t‘i bënte presion ish-kreut të grupit parlamentar demokrat që të firmoste dekretin për këtë ligj. Nga ana tjetër ekzistonte edhe presioni i partive të opozitës, të cilat njëzëri nuk preferuan ta votojnë ligjin dhe u deklaruan kundër që në seancë. Element tjetër jo pak i rëndësishëm ishte kontestimi i bërë publikisht nga faktori ndërkombëtar i akredituar në Tiranë, por dhe jashtë vendit. Ata e cilësuan si jo në përputhje me Kushtetutën projektin e votuar nga qeveria dhe një kërcënim permanent për institucionet e pavarura. Gjatë debatit politik për këtë çështje, partitë e opozitës deklaruan gjithashtu se me këtë ligj kërkohet të largohen nga detyra disa prokurorë që po hetojnë ato çka janë cilësuar "afera" të qeverisë. Në këtë kategori futen prokurorët që po investigojnë abuzimet e dyshuara në rrugën "Durrës-Kukës", çështjen "Fazliç" apo trafikun e armëve dhe "tragjedinë e Gërdecit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›