E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: Vendi ka nevojë për një qeveri të majtë

28/05/2009  Turi elektoral i PSD-së

Kryetari i Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi ka vijuar turin e tij elektoral me takime në 3 komuna të qytetit të Lushnjës: në Hysgjokaj, Fier-Shegan e Karbunarë. Ndërkohë edhe gjatë këtyre takimeve kreu socialdemokrat nuk ka kursyer akuzat dhe kritikat ndaj qeverisë “Berisha”, duke iu referuar sidomos raportit të fundit të KE-së. “Mjafton kjo deklaratë e fundit e BE-së, e cila nuk thotë ndonjë gjë të re përveç asaj që ju përjetoni të gjithë, ku thuhet prerë se Shqipërisë nuk i hiqen vizat pa i hequr vizën kësaj qeverie. Bashkimi Europian i jep një shuplakë kësaj qeverie, duke thënë prerë që Shqipëria nuk i plotëson këto kushte për shkak të korrupsionit, për shkak të mungesës së reformave, për shkak të konfliktit institucional”, - u shpreh Gjinushi gjatë takimeve të zhvilluara me simpatizantë dhe anëtarë socialdemokratë. Njëkohësisht në gjykimin e tij, nëse vendi nuk do të jetë nën një qeverisje të tillë, shqiptarët do të mund të shihnin një zhvillim real të vendit. “Shqipëria me një qeverisje normale është e aftë të jetë vendi më i zhvilluar në rajon, madje të fillojë t’u afrohet standardeve të Greqisë dhe jo më të krahasohet me Malin e Zi, Maqedoninë, Serbinë apo Bosnjë-Hercegovinën, vende këto që po shkojnë drejt heqjes së vizave, ndërsa ne ende jo, sepse kemi në krye një qeverisje të mbrapshtë”, - deklaroi Gjinushi. Nga ana tjetër kreu i PSD-së garantoi se në rast fitoreje e majta do të mund të realizojë një proces të tillë brenda vitit 2010. “Në vitin 2010 me qeverinë e së majtës fituese më 29 qershor hiqen vizat për shqiptarët. Pra, po i hoqëm vizë Saliut, do të hiqen vizat për shqiptarët”, - u shpreh Gjinushi lidhur me procesin zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›