E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria kërkon mbështetjen e Greqisë për vizat dhe integrimin evropian

28/05/2009  Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa vizitë zyrtare në shtetin helen

Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa i ka kërkuar homologut të tij grek Evangelos Meimarakis mbështetjen e shtetit helen në procesin e liberalizmit të vizave dhe në udhën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë takimit me ministrin grek Oketa ka vlerësuar se objektivi tjetër madhor i Shqipërisë është integrimi në BE, për të cilin shprehu besimin e qeverisë shqiptare se do të ketë edhe mbështetjen e Greqisë. “Në këtë kontekst, i kërkova homologut tim që, si ministër i Mbrojtjes dhe si anëtar i qeverisë greke, të mbështesë mundësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë, sepse kjo do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve tona, si dhe në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike”, - ka deklaruar pas takimit kreu i institucionit të mbrojtjes. Nga ana e tij ministri grek Meimarakis, pasi uroi për anëtarësimin e vendit tonë në NATO, ka thënë se Greqia e ka zgjeruar tashmë lëvizjen e lirë të qytetarëve midis dy vendeve, ndërsa hapja e plotë e këtij procesi lidhet me Bashkimin Europian. Ministri grek ka theksuar se Greqia e përgëzon Shqipërinë për synimin dhe hapat e saj drejt BE-së dhe beson se të gjitha vendet e Europës Juglindore duhet të integrohen në strukturat euroatlantike. Të dy ministrat kanë biseduar mbi bashkëpunimin dypalësh në fushën ushtarake. Ministri Oketa e falënderoi homologun për mbështetjen e dhënë në fushën e arsimimit dhe të shëndetësisë, duke u shprehur se me hyrjen e Shqipërisë në NATO do të vijojë më tej zgjerimi i përvojave përkatëse. Gjatë kësaj vizite Oketa është takuar edhe me kryetarin e Parlamentit grek Dimitrios Sioufas, i cili dha mbështetjen për integrimin sa më shpejt të Shqipërisë edhe në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›