E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS punë intensive për të sjellë risi

28/05/2009  Hapja e fushatës

Stafi organizator i ngarkuar për të gjitha detajet mbi të cilat do të përqendrohet i gjithë manifestimi i sotëm i Partisë Socialiste në kuadër të hapjes në mënyrë zyrtare të fushatës elektorale, ka ideuar një imazh krejt ndryshe. Duke rezervuar mjaft risi në këtë takim organizatorët, edhe pse nuk japin të dhëna mbi mënyrën se si do të organizohet ky event, mësohet se janë të vendosur për të sjellë një panoramë ndryshe nga ajo që është parë deri tani në takimet elektorale të zhvilluara gjatë fushatave elektorale të mëparshme. Për këtë arsye stafi organizator i Partisë Socialiste ka nisur që dje punimet në fushën e sportit të Qytetit Studenti, aty ku ajo do të hapë në mënyrë zyrtare fushatën e saj. Paraditen e hershme të ditës mërkurë kanë nisur përgatitjet për të sjellë në një formë sa më të përshtatshme të gjithë ambientin ku do të jetë takimi, kjo ndoshta dhe për shkak të kushteve jo të favorshme që ka fusha. Megjithatë, u pa që makineri dhe një numër i madh punëtorësh po punon për rregullimin e territorit përreth dhe për improvizimin e podiumit ku do të mbahen fjalimet e rastit. Por krahas punëtorëve u vu re dhe forca policore, që ishin pozicionuar rreth fushës dhe nuk linin që të afrohej askush pranë vendit ku po kryheshin punimet. Ajo që tashmë dihet zyrtarisht qëndron te një nga risitë e takimit e konkretisht është himni i posaçëm që do të shoqërojë fushatën elektorale të Partisë Socialiste gjatë gjithë këtij muaji deri më 28 qershor. Ishte vetë kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ai që prezantoi dy ditë më parë në ambientet e selisë rozë këngën e re të fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare 2009 me titullin “Çohu”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›