E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria së shpejti të bëhet pjesë e bashkësisë evropiane”

28/05/2009  Mediu takon Alderholt

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka pritur në një takim të veçantë në selinë e partisë që drejton kongresmenin amerikan Robert Aderholt. Gjatë këtij takimi, sipas njoftimit të zyrës së shtypit të PR-së, Alderholt ka vënë theksin në ndryshimet me ritme të shpejta në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Sipas tij, puna e bërë këto vite ka qenë një tregues i qartë për zhvillimin në rrugën demokratike që po ndërmerr Shqipëria. “Nëse Shqipëria u bë këtë vit anëtare e NATO-s, kjo ishte mbi të gjitha falë reformave të ndërmarra. Shpreh bindjen se Shqipëria do të arrijë së shpejti të bëhet pjesë e bashkësisë evropiane”, - ka deklaruar kongresmeni amerikan. Ai rekomandoi vazhdimin e punës për të përballuar me sukses sfida të reja. Nga ana e tij, kryerepublikani Mediu i konfirmoi kongresmenit Aderholt angazhimin e tij dhe të qeverisë shqiptare për të bërë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Rruga jonë është një rrugë pa kthim pas dhe ne ecim të sigurt drejt së ardhmes sonë të përbashkët. Kjo nuk është vetëm rruga e qeverisë, por e çdo qytetari shqiptar. Ne do të japim të gjithë kontributin për konsolidimin e mëtejshëm demokratik të vendit tonë”, - deklaroi ai. Sipas drejtuesit të PR-së, Shqipëria tashmë është pjesë e NATO-s, çka nënkupton sfida dhe përgjegjshmëri të reja. Mediu deklaroi se Shqipëria do të jetë një partnere serioze e Aleancës dhe së shpejti edhe partnere e Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›