E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pone: Kemi marrë masat për zgjedhje të rregullta

Zëvendësministri i brendshëm Ferdinand Pone u shpreh dje në Elbasan se më 8 Maj janë marrë të gjitha masat për të realizuar zgjedhjet më të rregullta të ndodhura ndonjëherë. Sipas tij, listat zgjedhore janë afishuar që në muajin tetor e janë të publikuara në internet. Ai ka përfituar nga rasti t’u kërkojë edhe njëherë punonjësve të gjendjes civile dhe drejtuesve vendorë që të shfrytëzojnë gjerësisht teknologjinë, në mënyrë që edhe Elbasani të mbetet në qendër të vëmendjes për të siguruar shërbimet publike sa më të kënaqshme për komunitetin. Në sajë të bashkëpunimit me pushtetin vendor, tha ai, arritëm të realizojmë regjistrin më modern në shkallë dhe online dhe në prag të mbylljes së sistemit të adresave për çdo shtëpi. Sa i përket letërnjoftimit dhe pasaportës biometrike, Pone tha se Shqipëria mbetet në top listën e vendeve më të zhvilluara të Europës. Ai ka kërkuar që në kohën e mbetur është e domosdoshme që të krijohet infrastruktura më e mirë zgjedhore dhe të rishikohen edhe njëherë pastrimi i listave dhe dublimet e panevojshme. I pyetur për pretendimet e kryetarit të bashkisë së Elbasanit, i cili nuk i ka firmosur deri më tani listat e afishuara, Pone tha se kryetari i Bashkisë Elbasanit ka të gjithë autoritetin të shpallë listat e zgjedhësve. “Listat zgjedhore të Elbasanit nuk kanë asnjë veçori tjetër nga listat e tjera, që do të thotë që janë jashtëzakonisht të mira. Nëse kryetari i Bashkisë së Elbasanit do t’i bashkohet vullnetit të çoroditur të zotit Rama, për të penguar zgjedhjet, kjo nuk është normale”, nënvizoi ai. Pak ditë më parë kandidati për kryetar bashkie i PS-së për Elbasanin, Qazim Sejdini, i kërkoi ambasadorit të prezencës së OSBE-së në Shqipëri që të dërgojë sa më shumë vëzhgues në Elbasan. F.S.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›