Gjinushi quan Kastriot Islamin teoricien mercenar dhe sulmon LSI-në
Skënder Gjinushi është pyetur sot në një intervistë për të përditshmen Shekulli edhe për artikujt e herëpashershëm që botohen në shtyp nga Kastriot Islami, ku ky i fundit analizon dhe parashikon rezultate të mundshme zgjedhore. Pyetjes z.Gjinushi, pak ditë më parë, Kastriot Islami në një analizë fliste për domosdoshmërinë e elektorale të LSI-së. Sipas tij, edhe pse kjo forcë politike i zgjat qeverisjen Sali Berishës, bashkimi i saj me të majtën do të thoshte lënien e saj në opozitë. Sipas jush, sa i bazuar është ky konkluzion? Gjinushi i përgjigjet:
…Nuk kam ndërmend të debatoj me këtë çështje se opinioni publik e ka shumë të qartë se kush është prirja elektorale në Shqipëri. Në dy fushatat e fundit që Berisha ka siguruar qeverisjen, vota popullore ka qenë për të majtën. Në vitin 2005 shumica e popullit votoi për moskthimin e tij në pushtet, ndërsa në 2009 shumica votoi për largimin e tij si kryeministër. Të gjithë ata teoricienë, apo mercenarë, që e interpretojnë votën e LSI-së, që në fakt ishte votë kundër Saliut, nuk thonë gjë tjetër veçse një mashtrim të madh. Të gjithë ne e dimë mirë që LSI-i ishte ajo që thoshte se vetëm ata mund ta largojmë Berishën, se Edi Rama është ca i lëkundur. Është tjetër gjë se si u përdorën mandatet e fituara, ky është imoraliteti i LSI-së në zgjedhjet e 2009-s. Pra, të tërë e kanë të qartë se në rast se do të respektohej vota e majtë për qeverisjen ajo do të ishte në pushtet. Po mos të ndodhnin manipulimet, po mos të ndodhte rrëshqitja e së majtës, para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve, duke u justifikuar me fenomene të tipit Xhuveli apo të LSI-së, sigurisht e majta do të ishte në pushtet. Mesa duket ende kërkojnë të bëjnë këtë presion mbi elektoratin që nuk mund të fitohen zgjedhjet kur shumica dërrmuese është për largimin e Berishës. Duan të thonë se nuk mund të fitojë PS-ja pa ndihmën e LSI-së, kur kjo forcë politike është minuesja e së majtës që prej 2005….