E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmetet e Bankers nuk shkatërrojnë vetëm shtëpitë, por dhe vendburimin e naftës

Nga Ilia Bello

Inxhinier shpim- kërkim nafte

Ditët e fundit janë përsëritur njoftimet mbi shpërthimet nëntokësore në rajonin e Visokës dhe Patosit nga kompania Bankers dhe janë përsëritur protestat e banorëve të zonës, të cilëve u shemben shtëpitë. Në një vështrim më të gjerë shkencor dhe profesional, dëmi më i madh që Bankers po bën në këtë vendburim historik të Shqipërisë nuk është shkatërrimi i shtëpive të fshatarëve, por shkatërrimi i vendburimit më të madh të naftës në Shqipëri.

Shpërthimet që shkaktojnë lëkundje toke deri në 3 ballë, nga pikëpamja profesionale janë një operacion barbar që prish përfundimisht strukturën gjeologjike të vendburimit për hir të shfrytëzimit të momentit të atyre puseve dhe e bën vendburimin të papërdorshëm në të ardhmen.

Për të bërë një shpjegim më të thjeshtë për ata që nuk e kuptojnë, duhet tu kujtojmë se edhe gjatë kohës së komunizmit kur puset e naftës punonin në kapacitet të plotë, por dhe më pas, të gjithë kanë parë puse shfrytëzimi që për një kohë nuk punojnë dhe janë të ndalur dhe më pas riaktivizohen. Ky është një proces teknologjik që ka të bëjë me disiplinën shkencore të shfrytëzimit të vendburimit dhe ka të bëjë me presionin në shtresat e shfrytëzimit ë naftës.

Bankers, e cila ka marrë koncesionin për shfrytëzimin e këtij vendburimi të vjetër shqiptar, ka tejkaluar standardet e ruajtjes së vendburimit dhe po përdor plasjet dhe presionin ekstrem mbi shtresë jo vetëm për të thithur gjithçka, por dhe duke varrosur përfundimisht të ardhmen e vendburimit duke e nxjerrë atë jashtë përdorimit.

Ky proces duket se është intensifikuar muajt e fundit, kur Bankers është nën presionin e një fituesi të ri të tenderit për Albpetrolin dhe humbjen e mundshme të koncesionit për këtë zonë.

Historia e përdorimit të metodave ekstreme në këtë vendburim është denoncuar së pari nga rrjeti Wikileaks. Një specialist shqiptar ka hartuar një raport profesional ku flet për masakrën e Bankers me puset e naftës dhe tregon rreziqet për banorët e zonës dhe vendburimin. Bëhej fjalë fillimisht për pusin 646 në komunën e Zharrës.

Sipas raportit që publikoi Wikileaks, lëkundjet ishin aq të mëdha sa rreth 60 shtëpi të komunës Zharrëz, dhe ato në afërsi të bashkisë Patos, u bënë gati të pabanueshme. Atyre u janë plasur muret nga lëkundjet që ishin vertikale dhe jo horizontale, deklaron një prej banoreve te zonës.

Por përtej dëmit material mbi banorët, dëmi që i bëhet vendburimit është i pariparueshëm.

Në këtë histori përveç përfshirjes së qeverisë në spiralen korruptive, kanë një përgjegjësi direkte autoritetet e sizmikës në Shqipëri, të cilat fshehin me qëllim të dhënat sizmike nga këto shpërthime dhe dëmin që ato shkaktojnë jo vetëm mbi tokë, por dhe nëntokë.

Duke qenë se këto shpërthime po shtohen ditët e fundit dhe kanë detyruar banorët të ridalin në protesta, është urgjente që prokuroria dhe institucionet e tjera të hetimit të shikojnë shpërthimet e qëllimshme që synojnë bërjen e papërdorshëm të vendburimit në të ardhmen nga kompani të tjera. Shfrytëzimi barbar nga Bankers dhe papërgjegjësia për pasojat nën tokë dhe mbi tokë, është një përgjegjësi direkte edhe për qeverinë shqiptare që ua fal pasuritë pa inventar dhe përgjegjësi gjithkujt që i troket në derë me ca lek nën dorë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›