E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi, shfryhet tullumbacja OSSH

Pasi vendosi pastrimin e bilancit të OSSH, duke falur borxhe me vlerë rreth 40 milionë euro, si dhe vendosjen e garancisë prej 60 milionë eurosh, qeveria pranon që bashkë me CEZ, të rishikojë çmimin e shitjes për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). "Shqip" publikon detaje të marrëveshjes për blerjen e aksioneve, e firmosur më 11 mars mes ministrit të Energjetikës, Genc Ruli, dhe përfaqësuesit të CEZ, Vladimir Shmic. Në pikën 3 të kontratës janë parashikuar rastet se kur dhe si duhet rishikuar çmimi i shitjes për privatizimin e 76 për qind të aksioneve. CEZ u shpall fituese në tenderin e zhvilluar në tetor 2008, pasi ofroi e vetme në tender 102 milionë euro. Qeveria e ka cilësuar privatizimin e suksesshëm, për vetë gjendjen ku ndodhej OSSH-ja, problemet me sektorin dhe kriza financiare. Në fakt, duke parë kontratën, e cila pritet të vihet në zbatim shumë shpejt, kupton se privatizimi nuk rezulton aq i suksesshëm sa i takon përfitimit ekonomik. I vetmi element pozitiv në këtë proces është prezenca e çekëve të CEZ, të njohur për zhvillimin e sektorit energjetik. Në kontratën e botuar dy ditë më parë në Fletoren Zyrtare janë të përcaktuara me detaje rastet e prishjes së marrëveshjes, përfitimet, pagesat dhe kur privatizimi konsiderohet me rrezik. Në shumë terma ekonomikë të marrëveshjes për blerjen e aksioneve të OSSH është theksuar ruajtja e konfidencialitetit nga të dyja palët. Marrëveshja e firmosur më 11 mars duhet të përfundojë pas 90 ditëve, pra në javën e parë të qershorit. Gjatë kësaj kohe, qeveria dhe CEZ do të ushtrojnë përpjekjet maksimale për të pambushur kushtet paraprake.

Rivlerësimi i çmimit

Qeveria pranon të rishikojë çmimin e shitjes së OSSH-së, në rast se vlerësimi i bilancit rezulton ndryshe nga i mëparshmi, kur CEZ u njoh para se të hynte në tender. Në pikën 3 të marrëveshjes "Çmimi blerjes", nënndarja 3 "Rivlerësimi i çmimit të blerjes", palët kanë rënë dakord që pas rezultatit të dalë nga auditimi i aseteve të OSSH-së, të kryhen disa rivlerësime në çmim, por pa e kaluar kufirin e 50 përqindëshit të çmimit final të privatizimit. Pra, vlera e dalë nga rivlerësimi i aseteve nuk duhet të jetë nën 51 milionë euro, gjysma e çmimit të shitjes së 76 për qind të OSSH-së. Konkretisht, në njërën nga pikat e marrëveshjes thuhet se, "nëse Vlera e Përfundimtare Neto e Aseteve për mbylljen është më e lartë sesa Vlera Referuese Neto e Aseteve, CEZ do t‘i paguajë qeverisë një shumë të barabartë me 76 për qind të diferencës midis dy vlerësimeve". I njëjti veprim kryhet nëse vlerësimi përfundimtar del më i vogël se i mëparshmi. Në rreshtat e parë të marrëveshjes sqarohet se pas 10 ditëve nga përfundimi vlerësimit të aseteve të OSSH-së, nëse ka vend për një rivlerësim të çmimit, paguesi do t‘i paguajë vlerën përkatëse përfituesit, duke e depozituar në llogarinë bankare.

Paniku

Meraku i qeverisë qëndron më shumë te vullneti i investitorit për ta çuar privatizimin deri në fund. Kriza financiare e shoqëruar me panik, situata jo e mirë financiare e OSSH-së, si dhe të tjera mosmarrëveshje lidhur me rishikimin e tarifave për energjinë elektrike, shfaqën rrezik për tërheqje të çekëve. Në këto kushte, qeveria nisi lëshimin e terrenit, duke mos ia njohur borxhet, me vlerë deri në 40 milionë euro. Më tej, u ra dakord që te Banka Botërore qeveria të linte peng 60 milionë euro, të kërkuara nga CEZ në rast se ERE ndërhynte te marrëveshja, gjë që mund të shkaktonte humbje financiare.

Vlera reale

Aksionet e OSSH,

230 milionë USD

Në datën kur qeveria dhe CEZ firmosën kontratën për shitjen e 76 për qind të OSSH-së, vlera e aksionit ishte 1 mijë lekë. Në marrëveshje thuhet se vlera e aseteve të OSSH-së është rreth 230 milionë dollarë (22.665.020.000 lekë). Sa i takon shitjes, CEZ e bleu OSSH-në për 102 milionë euro ose rreth 115 milionë dollarë. Identifikimi i vlerës së aksionit është vendosur në kontratë ditën e marrëveshjes më 11 mars, si pasojë, kur të përfundojë afati 90-ditor, palët do të shikojnë, nëse vlera e tyre ka pësuar rritje apo ulje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›