Gjirokastër; Del nga rruga dhe përplaset me një plep automjeti, dy të plagosur
Dy persona kanë mbetur të plagosur, kur makina me të cilën udhëtonin doli nga rruga. Sipas burimeve të policisë lokale, ngjarja ndodhi në rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavijë, në vendin e quajtur Kordhocë. “Një automjet tip Ford Mondeo, me targa italiane PZ 58 88 43, i drejtuar nga shtetasi Bledar Nikica, i datëlindjes 1979, lindur dhe banues në lagjen Zinxhira, Gjirokastër, i cili udhëtonte për në drejtim të qytetit, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një plep në anë të rrugës”, - thanë burimet policore. Sipas të njëjtave burime, me këtë automjet udhëtonte edhe shtetasi Marsel Nikica, i datëlindjes 1989, lindur dhe banues në lagjen “11 Janari” të qytetit Gjirokastër. Ai është djali i xhaxhait të drejtuesit të automjetit, emigrant në Itali dhe kishte ardhur për pushime. Si pasojë e kësaj daljeje nga rruga, është plagosur rëndë në kokë shtetasi Marsel Nikica, i cili ndodhet në spitalin rajonal Gjirokastër në gjendje të rëndë. Drejtuesi i automjetit ka pësuar disa dëmtime të lehta dhe pas ndihmës së parë mjekësore është shoqëruar në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, ku është bërë arrestimi në flagrancë i tij për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Grupi hetimor në përfundim të veprimeve të para hetimore ka konstatuar se shkaku i daljes nga rruga ka qenë “humbja e kontrollit të drejtimit të automjetit”, si dhe “përdorimi i pijeve alkoolike nga drejtuesi i automjetit”, parashikuar nga nenet 290/1, 291, 293 të Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.