Tiranë;I dënuar për vrasje, ekstradohet 27-vjeçari Viktor Gjoka
Një 27-vjeçar i dënuar me 12 vjet burg për “vrasje me dashje” është ekstraduar dy net më parë nga Italia. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, Viktor Gjoka, vjeç 27, nga Puka, ka mbërritur në aeroportin e Rinasit ku dhe u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Shtetasi Viktor Gjoka ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë, me vendimin nr. 56, datë 19.07.2005 e ka dënuar atë me 12 vjet burg, për veprat penale të “vrasjes me dashje”, “kanosjes” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe kanosjes”, vepra penale këto të parashikuara nga nenet 76, 278/2 dhe 84 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Viktor Gjoka u arrestua në shtator të vitit të kaluar në Cassano D’Adda, në Milano të Italisë, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe strukturave homologe policore italiane.