E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat-Shkodër; Përfshihen nga flakët plantacionet me ullishte, digjen 16 ha

Një zjarr i madh ka përfshirë dje plantacione të tëra me ullinj në rrethin e Beratit. Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë, të cilat thanë se zjarri ka rënë në zonën e quajtur Qafa e Sqepurit. Prej dy orësh forcat e zjarrfikëses janë munduar të shuajnë flakët pasi zjarri ka rrezikuar edhe fshatin Polizanë. Në terren, për të shuar flakët, kanë shkuar edhe shumë banorë të zonës të cilët u munduan të normalizonin situatën. Aktualisht, mësohet se flakët kanë përfshirë rreth 12 hektarë me ullinj, ndërsa policia ka hedhur edhe versionet e para të zjarrit. Sipas efektivave blu të Beratit, zjarri ka qenë i qëllimshëm për shkak të konkurrencës. Ata thonë se kjo është arsyeja kryesore që sipërfaqe të tëra me ullinj të përfshihen nga flakët. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe përfaqësues të Drejtorisë Pyjore. Vatra e dytë e zjarrit ka rënë në fshatin Malasbreg në disa kodra me ullinj. Sipas zjarrfikësve, zjarri është shtrirë në një sipërfaqe prej 4 hektarësh dhe po punohet së bashku me banorët për shuarjen. Ndërkohë që një zjarr i madh i rënë pasditen e djeshme në Kodrat e Tepes në Shkodër ka alarmuar të gjithë banorët. Policia dhe zjarrfikëset kanë rrethuar të gjithë zonën dhe po bëjnë përpjekjet maksimale për shuarjen e flakëve të cilat, të ndihmuara nga era, janë përhapur me shpejtësi. Sipas policisë, në këtë kodër ndodhen depo armatimesh të cilat rrezikojnë ta kthejnë situatën në katastrofë, nëse ndizen. Tek-tuk dëgjohen edhe kërcitje fishekësh të cilat janë të shpërndarë në gjithë këtë zonë. Zjarrfikëset po mundohen të shuajnë flakët, megjithëse e kanë shumë të vështirë të futen në zonë. Zjarri ka nisur në një shkurre dhe është përhapur me shpejtësi. Nuk dihet nëse zjarri ka qenë aksidental apo i qëllimshëm.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›