E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja; Prençi-Marnhac, bashkëpunim për forcimin e kufirit

Në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua dje një takim ndërmjet drejtorit të përgjithshëm të Policisë, z.Ahmet Prençi, dhe komandantit të KFOR-it, Gjeneral Xavier de Marnhac. Në kuadër të këtij takimi z. Prençi dhe Gjeneral De Marnhac nënshkruan një marrëveshje të rëndësishme mbi procedurat operuese ndërmjet Policisë Kufitare të Shqipërisë dhe KFOR-it. Marrëveshja teknike mbi procedurat e përkohshme operuese ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe KFOR-it është një dokument që rregullon marrëdhëniet operacionale ndërmjet KFOR-it dhe Policisë Shqiptare përgjatë kufirit. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është vendosja e procedurave të efektshme për bashkëpunimin, koordinimin e veprimeve dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet Policisë Kufitare të Shqipërisë dhe KFOR-it, me synim menaxhimin e kontrollin sa më të mirë të kufirit. Ky dokument është hartuar duke pasur parasysh përvojën e fituar nga patrullat e përbashkëta përreth kufirit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Pas nënshkrimit, drejtori i përgjithshëm i Policisë, z.Prençi dhe komandanti i KFOR-it, Gjeneral De Marnhac, e cilësuan një hap historik nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet Policisë Shqiptare dhe KFOR-it. Z.Prençi duke falënderuar Gjeneralin De Marnhac për bashkëpunimin e vazhdueshëm e mjaft efikas, vuri në dukje faktin se vënia në zbatim e kësaj marrëveshjeje do të ndikojë në ndërtimin e marrëdhënieve më cilësore në bashkëpunimin kufitar Shqipëri-Kosovë. Në këtë kontekst, do të monitorohet i gjithë kufiri i gjelbër përgjatë gjithë territorit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërkohë, komandanti i KFOR-it e vlerësoi nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje si një tregues të bashkëpunimit shumë të mirë ndërmjet Shqipërisë dhe KFOR-it, lidhur me sigurinë e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një tregues i marrëdhënieve të mira të bashkëpunimit, të cilat kanë ardhur gjithnjë duke u forcuar ndër vite, ndërmjet Policisë Shqiptare dhe KFOR-it.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›