E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndotja e ambientit, dy herë mbi normë

Mungesa e rrjeteve të kanalizimeve
nëntokësore në qytetin
e Gjirokastrës dhe punimet
në infrastrukturë kanë ndikuar në
rritjen e nivelit të ndotjes së mjedisit.
Sipas ekspertëve të Drejtorisë së Shëndetit
Publik, shifrat tregojnë për një
koeficient ndotjeje, dy herë më të lartë
se norma. "Shkak i ndotjes së mjedisit
në qytet, në përgjithësi ka qenë mungesa
e theksuar e rrjetit të kanalizime.
Mungesa e kolektorëve për largimin e
mbetjeve të lëngëta urbane, gjë që
ndikon herë pas here në shpërthimin
e ujërave të zeza, të cilat janë shndërruar
në problem serioz për disa lagje të
qytetit", thotë kryeinspektori i Drejtorisë
së Shëndetit Publik, Spiro
Naka. Zonat më problematike janë
lagjet tradicionale në pjesës muzeore
"Palorto", "Pazar i Vjetër", "Granicë",
"Varosh", "Zinxhira", por edhe lagjja
më e madhe në pjesën e poshtme të
qytetit, lagjja "18 Shtatori". Ndërkohë
kalimi në sipërfaqe i ujërave të zeza
dhe rritja e temperaturave, rrezikon
shpërthimin e epidemive virale. Për
këtë arsye, specialistët e Drejtorisë së
Shëndetit Publik në Gjirokastër kanë
kërkuar marrjen e masave emergjente
shtrënguese nga strukturat e policisë
ndërtimore pranë organeve të pushtetit
vendor dhe sidomos bashkisë së
qytetit, për marrjen e masave dhe normalizimin
e situatës. Masat e deritanishme
të bashkisë dhe strukturave të
tjera të pushtetit vendor, sipas ekspertëve,
janë ende të pamjaftueshme,
pasi ajri në rrugët dhe rrugicat
e pjesës më të madhe të lagjeve,
janë të mbuluara nga pluhuri. Ekspertët
theksojnë se sipas ligjit, mjediset
ku do të ndërtohen pallate të
reja, në zonat e banuara dhe sidomos
shëtitoret e mëdha ku qarkullojnë
mjete dhe qytetarët, duhet të lahen
me ujë 3 deri në 4 herë në ditë, gjë që
nuk është realizuar në Gjirokastër.
Për ekspertët, situata pritet të
bëhet edhe më problematike, gjatë
muajve të nxehtë të verës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›