E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër/ Kaluan mallra kontrabandë, dy doganierë në kërkim

Dy doganierë pranë pikës doganore të Kakavijës, janë shpallur në kërkim pasi akuzohen për "Shpërdorim detyre".
Burimet zyrtare pranë policisë së Gjirokastrës nuk i bëjnë të ditur identitetet e doganierëve, por mësohet se dyshohen favorizim të kontrabandës.
Procedimi penal ndaj dy doganierëve nisi pas sekuestrimit të një kamioni me mallra kontrabandë, dhe arrestimit të drejtuesit të mjetit.
Mallrat kontrabandë u sekuestruan në mjetin tip Volvo kamion me targa TR 18 80 R, ndërsa në pranga përfundoi 43 vjeçari Renato Tushe. Kamioni transportonte mallra kontrabandë në drejtim të Tiranës. Sipas policisë dokumetacioni i mallit ishte i falsifikuar, dhe në sistemin elektronik në Doganë nuk ishte hedhur asnjë e dhënë që tregonte se ky automjet ishte zhdoganuar.
Pasi u bënë verifikimet në Sistemin TIMS të Policisë Kufitare , në pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kakavije dhe të kamerave të doganës , rezultoi se ky automjet kishte hyrë nga Greqia për në Shqipëri dhe nuk ishte zhdoganuar. Gjatë kontrollit në mjet u gjetën dhe sekuestruan një sasi e konsiderueshme mallrash konsumi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›