E Diel, 1 Nëntor 2026

U vetëvar në komisariat, familjarët kallzim policisë së Durrësit

Pas akuzave para kamerave të televizioneve, familjarët e Klodian Bushit, formalizojnë padinë ndaj Drejtorisë së Policisë Durrës, për përgjegjësi në vdekjen e 27-vjeçarit.
Ditën e hënë, familjarët e 27-vjeçarit që u vetëvar në ambientet e komisariatit të Policisë, depozituan në prokurori një kallzim ndaj Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës.
Ndryshe, nga varianti zyrtar i policisë, në të cilën thuhej se 27 vjeçari u vetëvar, familjarët e Bushit akuzojnë se ai është pre e dhunës policore.
Bashkëshortja dhe motra e Klodian Bushit, pretendojnë se ndaj 27-vjeçarit është ushtruar dhunë verbale dhe fizike, duke e shtyrë në vetëvrasje.
Ndërsa kërkojnë zbardhjen e të vërtetës, familjarët e 27-vjeçarit thonë se disponojnë edhe prova për akuzat ndaj policisë.
Ata disponojnë skedën e vdekjes, ku thuhet se 27-vjeçari u vetëvar me litar, ndërsa në procesverbalin e policisë, thuhej se Bushi u vetëvar me të brendshmet e tij.
Ndërkaq, burime nga organi i akuzës në Durrës, bënë me dije, se brenda tre ditëve të ardhshme do të caktohet edhe prokurori që do të ndjekë çështjen. Ngjarja e rëndë e ndodhur në ambientet e komisariatit të Policisë në Durrës, ngjalli edhe reagimin e Avokatit të Popullit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›