E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, aty ku për tragjedinë e Gërdecit shqetësohen dyfish

Episodet e ngjarjes tragjike të Gërdecit janë shoqëruar me një shqetësim të madh dhe të dyfishtë te Heroi i Punës Socialiste, Dhimitër Delijorgji, ish-shoferi legjendë i Ateliesë, Ndërmarrjes së Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër dhe xhaxhai i tregtarit Mihal Delijorgji. Dhimitri, i cili sipas ekonomistëve-propagandistë të sistemit komunist në rreth 30 vjet punoi sa për 60 vjet, është dy herë i shqetësuar për këto ngjarje, sepse kjo tragjedi është e lidhur ngushtësisht me emrin e nipit të tij, "bosit" të armëve, Mihal Delijorgji.

"Hata dhe gjynah i madh. Ikën e s‘kthehen më gjithë ata njerëz të pafajshëm. Më vjen keq për nipin, se nuk është hera e parë që e merr veten më qafë. Nuk vuri mend nga hera e parë, që e futën brenda në burg. Për lekë e futën, me lekë e nxorën. Të tjerë i luajnë filmat dhe ai e pëson", thotë Dhimitri, me një qetësi të shtirur. Ky njeri që në vitin 1980 është nderuar nga ish-Presidiumi i Kuvendit Popullor me titullin e lartë Hero i Punës Socialiste, jeton sot në lagjen "Pazari i Vjetër" në Gjirokastër. Edhe pse nuk shquhet për mani për t‘u dukur, me "asistencën" e ingranazheve të propagandës komuniste ai kishte një letërkëmbim të dendur me ish-udhëheqësin komunist, Enver Hoxha.

"Njëlloj si atëherë edhe tani", thotë një bashkëmoshatar i Dhimitrit, që rrufit filxhanin e kafesë nën hijen e rëndë të Rrapit të Pleqve në verandën e Klubit të Gjuetarëve në Gjirokastër. "Mitrua punonte natë e ditë me "Zis" sokakëve të Gjirokastrës dhe merrte letra e dekorata nga Enveri, të tjerët, ata të nomenklaturës, bënin karrierë dhe para me emrin e tij".

"Një gjë më çudit, si nuk nxori mësime nga hera e parë, se këta tani të lënë të punosh, të bësh tregti e të bësh para, pastaj të futin në burg dhe "të mjelin" mirë ato që ke fituar", thotë Heroi i Punës, tani në moshën 77-vjeçare.

Kur Mihali nisi të bënte tregti me Ministrinë e Mbrojtjes, drejtimin e kompanisë "Përparimi" të importit dhe shitjes së shufrave të hekurit për ndërtim në Durrës nisi ta drejtojë i ati i tij, Pandeliu. Delijorgjët, një familje me kombësi greke dhe nënshtetësi shqiptare, nga fshati Terihat i Dropullit të Poshtëm, njihen në rrethin e Gjirokastrës si një familje punëtorësh dhe të shquar si mekanizatorë dhe shoferë. "Tërë jetën familje hekuraxhinjsh kanë qenë. Për hekura nuk u dilte njeri përpara. Babai i Mihalit, Pandua, punoi eskavatorist në veprat e 5-vjeçarëve dhe në bonifikimin e fushës së Dropullit, pastaj ia la zanatin Mihalit. Kur u hapën kufijtë, ata pak punuan andej (në Greqi), u kthyen shpejt dhe filluan tregtinë e hekurit", thotë A.T. një banor i Terihatit. Nëna e Mihalit, gruaja e Pandos humbi jetën disa vjet më parë në një aksident automobilistik.

Të njëjtin opinion ndan me bashkëfshatarët e Terihatit edhe kryetari i Bashkisë së qytetit të Gjirokastrës, Flamur Bime, i cili i ka njohur nga afër babë e bir, Pando dhe Mihal Delijorgji gjatë kohës kur punonte inxhinier ndërtimi në ish-ndërmarrjen e bonifikimit në Gjirokastër. "Babë e bir ishin njerëz punëtorë dhe të talentuar në profesion. Mihali është rritur kanaleve e rezervuarëve të bonifikimit përkrah babait. Unë kam firmosur për vite me radhë borderotë e tyre. Punonin me orë e pa orë, por edhe merrnin para shumë. Më kujtohet që merrnin ndonjëherë më shumë se unë që isha inxhinier në atë ndërmarrje", thotë Bime. Sipas tij, Mihali nuk është shkaktari dhe autori i vetëm i episodeve tragjike të Gërdecit. "Nuk është ai shkaktari dhe përgjegjësi i tragjedisë. Ai ishte tregtar dhe si i tillë ishte i dhënë pas fitimit, të tjerët, qeveritarët, ata që përfitonin nga tregtia e dhe aferat e zeza kriminale të armëve dhe municioneve, ata janë autorët e vërtetë të tragjedisë së Gërdecit dhe bashkëfajtorë në të gjitha etapat e krimit të pashembullt", shprehet Flamur Bime.

Në fund të muajit nëntor të vitit 2006, biznesmenit Mihal Delijorgji, krahas 8 biznesmenëve të tjerë gjirokastritë iu dha titulli "Bamirës i Qytetit", nga Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës për kontributin financiar që ai kishte dhënë për ringritjen e skuadrës së futbollit "Luftëtari".

Por opinionet e familjarëve dhe banorëve të Gjirokastrës dhe Dropullit nuk kanë shumë vlerë për fatin e ish-eskavatoristit të talentuar, Mihal Delijorgji, tashmë i arrestuar dhe në ndjekje penale për tragjedinë e Gërdecit, ku vdiqën të paktën 21 veta dhe u plagosën qindra të tjerë.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›