LSI: Të largohen Bode, Barka e Nishani
LSI-ja insiston te qëndrimi i saj për dorëheqjen e menjëhershme të Kryeministrit Berisha. Duke e konsideruar atë përgjegjësin kryesor politik, shtetëror dhe moral për tragjedinë e Gërdecit, që përbën kulmin dramatik të mosqeverisjes dhe kaosit shtetëror ku është zhytur vendi. Sipas Petrit Vasilit, ngjarja e Gërdecit tregoi qartë se shumë ministri të rëndësishme nuk kanë funksionuar dhe si rrjedhim i kësaj edhe pasojat e prodhuara kanë qenë tepër të rënda. "Ministria e Financave nuk ka ushtruar asnjë nga kompetencat e saj të detyruara me ligj, duke mos mbledhur as tatimet dhe as sigurimet shoqërore që lidheshin me këtë biznes ekonomik, që zhvillohej atje shumë pranë Tiranës, duke lejuar haptas një abuzivizëm dhe evazion fiskal korruptiv të pastër", insistoi Vasili, duke i kërkuar dorëheqjen jo vetëm Kryeministrit, por edhe ministrit të Financave. Ai e konsideroi skandaloz faktin se në këtë biznes shumë pranë Tiranës dhe me rrezikshmëri shumë të lartë, Ministria e Punës nuk ka ushtruar asnjë nga përgjegjësitë e saj lidhur me garantimin e kontrollit të sigurisë së kushteve të punës. "Si dhe ka lejuar punësimin e shfrytëzimin çnjerëzor të minorenëve, duke ligjëruar kështu një nga fenomenet antiligjore më të shëmtuara shtetërore dhe sociale", tha ai. Bazuar mbi këto, Vasili kërkoi edhe dorëheqjen e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale. Në këtë listë ai përshiu edhe ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani. "Një situatë e tillë e bllokimit dhe e dështimit të plotë të qeverisjes së vendit ka një kryefajtor dhe përgjegjës, i cili është vetë Kryeministri Berisha, të cilit i ka dalë situata plotësisht jashtë kontrollit", argumentoi Vasili.SSSASS