Anije me eksploziv në portin civil
Anije me lëndë eksplozive në Portin e Durrësit. Tragjedia e Gërdecit rizgjoi vëmendjen e të gjithëve ndaj pikave me rrezikshmëri të lartë në vend, ku Porti i Durrësit u rendit ndër vendet e para për shkak të aktivitetit që zhvillohet në të. Anije me municione dhe lëndë plasëse përpunohen vazhdimisht në port, aty ku ngrihen të palëkundura depozitat e karburanteve. Prej këtij porti tashmë është deklaruar se bëhet trafiku i ligjshëm e i paligjshëm i armëve dhe municioneve dhe po prej këtej mbërrijnë për nevoja tregtare sasi lëndësh plasëse. Vetëm një ditë para katastrofës së Gërdecit, më 14 mars, në Portin Detar të Durrësit është futur një anije turke. Burime nga Autoriteti Portual dhe Kapitaneria e Portit konfirmojnë për gazetën hyrjen në port të anijes me flamur turk dhe përpunimin e saj, pasi ngarkesa ishte e destinuar për rrugën që po ndërtohet nga kompania "Bechtel". Anija "MV Dogu Haslaman" ka shkarkuar në Portin Detar të Durrësit 385 tonë lëndë eksplozive, ndërsa ka pasur në hambarë dhe një ngarkesë nitrati prej 308 tonësh, po për në Shqipëri. Përpunimi i anijeve me ngarkesa të kësaj natyre në një port ku prej vitesh ndodhen depozita karburantesh me një kapacitet mbajtës prej afro 50 mijë metrash kub bën që të bien rishtas kambanat e alarmit të rëna vite më parë nga ekspertët amerikanë dhe të përsëritura sa herë që në vend ndodhin ngjarje të rëndë. Sipas burimeve, spedicioni i kësaj ngarkese është bërë nëpërmjet agjencisë spedicionere "Tahiri". Ndërkohë, burime të tjera thanë se në shkarkimin e kësaj ngarkese është përfshirë dhe Mihal Delijorgji, i cili mendohet të ketë qenë ndërmjetës në këtë transport.
Përpunimet e këtij lloji, për fat, deri tani nuk kanë shkaktuar gjëma, po siç thonë e keqja njëherë ndodh. Gjithsesi, s‘ka munguar rënia e zjarreve në territorin e cisternave ku Inspektorati Qendror i Hidrokarbureve ka bërë inspektim të premten po pa dhënë konkluzione zyrtare për to. Depozitat janë konsideruar një minë gjigante me sahat në Durrës, ndërsa një qytet i tërë bashkëjeton me rrezikun. Qeveritë shqiptare vazhdojnë të qëndrojnë apatike në ndërmarrjen e veprimeve konkrete për zhvendosjen e tyre të menjëhershme drejt Porto-Romanos, edhe pas ngjarjeve të ndodhura në Shëngjin dhe së fundmi në Gërdec. Ngjarja e fundit ka rikthyer frikën mes banorëve të Durrësit dhe veçanërisht të atyre të pallateve pranë portit, ndërsa depozitat e karburanteve në portin detar kanë rritur kapacitetet e tyre me depozita të tjera të përmasave më të vogla. Të hysh brenda territorit lindor të Portit të Durrësit ku janë instaluar tankerat me karburant është bërë e pamundur që nga koha kur depozitat u vunë në shënjestër, ndonëse verbalist, nga ekspertët dhe qeveria. Megjithatë, konkretisht asgjë nuk e preku aktivitetin e tyre. Ekspertët e kompanisë amerikane Wilbur Smith Associates, TEC Infrastructure Consultants and EnerSource Engineering në studimin e tyre të 7 viteve të shkuara ("Oil/Fuel Inspection and Analysis Report and Oil/fuel Operations Report") theksojnë: "Ekzistojnë rreziqe reale për derdhje karburantesh, zjarre dhe eksplozione, gjë që do të ketë pasoja të mëdha në port dhe komunitetin që banon përreth tij. Kjo situatë vetëm keqësohet në kuadrin e planeve të zgjerimit të portit. Afria me ndërtimet përgjatë rrugës, jo më larg se 200 metra larg tankerave paraqet një rrezik të madh për to ("a high-risk situation")". Raporti i fundvitit 2001 paraqet situatën dhe gjithçka tjetër mbi rreziqet që mbart ekzistenca në territorin e portit e depozitave të karburantit. Pesë vite më parë, në zonën lindore të portit ishin instaluar 21 depozita, 19 prej të cilave u përkisnin kompanive greke "Evroil", "Global Petrolium" dhe "Mamidoil". Tashmë, numri i tyre është shtuar dhe të gjitha mbartin rrezikun e lartë të shpërthimit dhe regresin mjedisor e social-ekonomik. Sipas studimit, të gjitha kompanitë e karburanteve, ato greke dhe shqiptare ("Kastrati" dhe "Armo") paraqesin probleme.
Më 17 nëntor të vitit 1999, me shkresën nr.838, Autoriteti Portual i Durrësit kërkonte pezullimin e punimeve nga firmat e karburanteve dhe në vjeshtën e një viti më pas qeveria me një vendim të formës së prerë urdhëroi ndërprerjen e investimeve në tankerat e karburanteve dhe heqjen e tyre përfundimtare nga Porti i Durrësit. Në vitin 2000, Banka Botërore akordoi një fond prej 150 mijë dollarësh për studimin e zhvendosjes së tankerave jashtë territorit portual dhe pontili i Porto Romanos është realizuar, por jo zhvendosja nga Porti i Durrësit. Kanë kaluar më shumë se 7 vjet nga dhënia e këtij urdhri qeveritar dhe kompanitë e karburanteve vazhdojnë të qëndrojnë aty, stoike duke ushtruar normalisht aktivitetin e tyre dhe duke zgjeruar kapacitetin përpunues dhe magazinues të karburanteve në port, ndërsa mbajnë të zaptuar një sipërfaqe prej më shumë se 60 mijë metrash katrorë. Ndërkohë, gjendja e depozitave dhe mjedisit rreth tyre nuk ka ndryshuar shumë.
SSSASS