Një i vdekur e dy të plagosur në rrugë
Orët e para të mëngjesit të djeshëm kanë shënuar një aksident të rëndë në rrethin e Elbasanit. Një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë marrë plagë të rënda pas daljes jashtë rruge të një veture në aksin rrugor Librazhd - Elbasan. Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 05:30 të mëngjesit të djeshëm, në afërsi të fshatit Labinot-Fushë, rreth 5 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Sipas burimeve të policisë rrugore, humbja e kontrollit dhe dalja jashtë rruge e automjetit tip "Mercedes Benz", me targa të Vlorës 5032 B, ka bërë që të humbasë jetën Fjordi Dobra, 25 vjeç, nga qyteti i Librazhdit, si dhe të plagosen rëndë Artan Allushi dhe Besmir Murrashi, bashkëmoshatarë me viktimën. Dy të plagosurit ndodhen në spitalin e qytetit të Elbasanit dhe sipas mjekëve, plagët që kanë marrë nuk përbëjnë rrezik për jetën. Sipas specialistëve të policisë rrugore, shkak i këtij aksidenti të rëndë ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara me të cilën lëvizte mjeti. Ekspertët thonë se shumica e aksidenteve që ndodhin në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, vijnë nga tejkalimi i normave të shpejtësisë.
SSSASS