Tragjedia, Topalli dhe Berisha sulmojnë SHISH
Kryeministri Sali Berisha ka ripërsëritur dje kërkesën e tij për drejtësinë, e cila duhet të përcaktojë në kohë rekord përgjegjësitë e tragjedisë së Gërdecit. Shefi i qeverisë ka theksuar se "drejtësia duhet të nxjerrë të gjitha përgjegjësitë dhe personat përgjegjës t‘i vendosë para ligjit, si kushtin më të domosdoshëm për t‘i dhënë përgjigjen ligjore asaj që ndodhi".
Berisha u shpreh se "përveç përgjegjësive personale, ekzistojnë edhe përgjegjësitë institucionale, të cilat kanë vetëm një përgjigje, reformimin". Sipas tij, në qoftë se duam që sistemi ynë i sigurisë të jetë tjetër, të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare duhet t‘i nënshtrohen një reforme të thellë, e cila duhet të synojë bashkërendimin, koordinimin dhe bashkëveprimin e tyre në harmoni të plotë, në mënyrë që të parandalohen situata të tilla. "Pra ky është sensi i reformave dhe unë mbetem shumë i vendosur të bëj çdo përpjekje në këtë drejtim", tha Kryeministri, duke shtuar se "institucionet e sigurisë së vendit kanë nevojë për reformë të thellë, pasi institucionet duhet të funksionojnë".
Kryeministri kërkoi që gjithsecili të mbajë përgjegjësitë që ka, por garantoi se nëse nuk bëhen reformat, situata të tilla mund të përsëriten në mënyrë periodike. "Janë reformat ato të cilat duhet t‘i japin përgjigjen më të mirë, më të shpejtë dhe më të sigurt problemeve të sigurisë", theksoi më tej Kryeministri. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha i bëri thirrje Prokurorisë të nxjerrë çdo përgjegjësi ligjore dhe individuale me vendosmërinë më të madhe. "Por krahas kësaj duhen reforma", tha ai. "E them këtë jo për të shmangur përgjegjësitë individuale dhe personale, por problemi është që duhet të parandalohen situata të tilla", u shpreh Berisha. Lidhur me procesin e shpërndarjes së ndihmave, Kryeministri Berisha tha se po ecet me shpejtësi shumë të madhe në vlerësimin financiar të dëmit material. "Janë vlerësuar deri tani 1400 banesa dhe kam shumë shpresë që vlerësimi përfundimtar të bëhet brenda fundjavës. Qeveria është e gatshme të mblidhet në çdo kohë për të bërë rialokimin e buxhetit për të rregulluar fondin e nevojshëm për disbursim, i cili do të fillojë shumë shpejt", nënvizoi Kryeministri Berisha. E.Ajazi
Gërdeci, Topalli sulmon SHISH
Qeveria i shpall "luftë" të hapur Shërbimit Informativ Shtetëror. I vetmi institucion i paprekur që nga koha kur demokratët erdhën në pushtet nga vala e reformave është pikërisht SHISH-i, drejtuesit e të cilit tashmë i kanë ditët e numëruara. Hiroshima e Gërdecit duket se do të tundë nga themelet jo vetëm qeverinë "Berisha", pas Samitit të Bukureshtit, por edhe disa nga institucionet kyçe të vendit. Pas deklaratës së Kryeministrit Berisha, kundër Shërbimit Informativ Shtetëror, Kryetarja e Parlamentit ka ecur po në të njëjtën linjë, duke e cilësuar punën e SHISH-it të dështuar. Nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, ka bërë me dije nga Vora se duhet të ndryshojë ligji për Shërbimin Informativ Shtetëror, pasi kishte mungesë informacioni për punimet në fabrikën e municioneve. "Tragjedia erdhi nga mosfunksionimi i strukturave të caktuara", tha Topalli. Ndërsa lidhur me situatën politike ajo u shpreh se duhet kompromis politik për situatën e krijuar. Nënkryetarja e PD-së bëri me dije gjithashtu se i gjithë shteti ishte ngritur në këmbë për të ulur dëmet e tragjedisë së 15 marsit. Sipas saj, institucionet duhen parë në të gjithë mekanizmin e shtetit për të parë se ku duhet të ndërhyhet në sistem. Kjo kërkon një kompromis të madh historik mes forcave politike në Kuvendin e Shqipërisë. "Por që institucionet të jenë të forta, unë si Kuvend, nëse më jep përgjegjësinë duhet të mbaj përgjegjësinë. Nuk mund të ndodhë në një republikë parlamentare që Kryeministri apo dikush tjetër të ketë duart e lidhura dhe të mos ketë kompetencat e duhura. Nuk mund të ndodhë. Unë si Kuvend, nëse më jep përgjegjësinë të mbaj përgjegjësinë, Presidenti i Republikës meqenëse është komandat i Forcave të Armatosura, të marrë përgjegjësinë, qeveria apo Kryeministri që kanë marrë mazhorancën të marrin përgjegjësinë. Nuk forcohen institucionet, duke ndryshuar vetëm një titullar. Institucionet duhen parë në të gjithë mekanizmin e shtetit, për të parë se ku duhet në sistem. Si qytetar, si politikan gjëja më e rëndësishme për mua në këto momente është që përgjegjësia ligjore të dalë një minutë dhe më parë", tha Topalli. Vetëm një ditë më parë, Kryeministri Berisha ka vënë gishtin e fajtorit edhe mbi Shërbimin Informativ, ku e bën atë përgjegjës për mungesën e informacionit për sigurinë, për atë që ndodhi në Gërdec. Kryeministri Sali Berisha ia ka faturuar fajin dhe përgjegjësinë e tragjedisë së Gërdecit, katër institucioneve shtetërore të rëndësishme si: Ministrisë së Mbrojtjes, Shërbimit Informativ Shtetëror, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe Prokurorisë. Disa minuta pas përfundimit të Këshillit të Sigurisë, Kryeministri Berisha ka ndryshuar qëndrim, duke u treguar më i ashpër në deklaratat e tij mbi tragjedinë e Gërdecit. Kreu i ekzekutivit ka pranuar dështimin e institucioneve, duke e lidhur këtë me ngjarjen që tronditi vendin më 15 mars. Shërbimi Informativ Shtetëror drejtohet nga Bahri Shaqiri, i vëllai i Majlinda Ketës, kjo e fundit e njohur si mbështetëse e ish-kryeministrit Fatos Nano.
SSSASS